Abelard Tahiri viziton Thaçin në Hagë: Po e përballon padrejtësinë me krenari
Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Tahiri theksoi se vizitat e tij ndër vite kanë qenë të shpeshta dhe të mbushura me emocione, ndërsa edhe këtë herë e gjeti Thaçin të fortë.
“Sot, në Hagë, e takova Presidentin po aq të fortë sa në çdo vizitë tjetër. Ai po e përballon këtë padrejtësi me një ndjenjë të thellë krenarie”, ka shkruar ai.
Sipas Tahirit, Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij mbeten “shtylla të palëkundura, mbi të cilat qëndrojnë fort shteti dhe liria jonë”.
Në fund, ai shprehu shpresën që kjo të ketë qenë vizita e fundit në Hagë dhe që takimi i radhës të ndodhë në Kosovë, duke shtuar: “Presidenti ju dërgon të fala nga Haga!”.
Postimi i plotë:
Vizitat e mia në Hagë gjatë këtyre viteve, që nga koha kur Presidenti Thaçi me shokë ndodhen në paraburgim, kanë qenë të shpeshta dhe shpesh të mbushura me emocione të forta. Sot, në Hagë, e takova Presidentin po aq të fortë sa në çdo vizitë tjetër. Ai po e përballon këtë padrejtësi me një ndjenjë të thellë krenarie, e cila mban gjallë shpirtin e popullit të Kosovës, një krenari që buron nga lufta për liri. Presidenti dhe shokët e tij janë shtylla të palëkundura, mbi të cilat qëndrojnë fort shteti dhe liria jonë. Uroj që kjo të ketë qenë vizita ime e fundit në këtë vend dhe që shumë shpejt të takohemi në liri, në Kosovën për të cilën ai dha gjithçka. Presidenti ju dërgon të fala nga Haga!/Periskopi/



