Administrata Trump ngriti një padi të premten kundër Universitetit të Harvardit , duke e akuzuar atë për dështim të adresimit të e antisemitizmit dhe diskriminimit ndaj studentëve hebrenj dhe izraelitë.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se që nga 7 tetori 2023, studentët hebrenj dhe izraelitë në Harvard i janë nënshtruar ngacmimeve, dhunës fizike dhe ndjekjes. Më tej theksojnë se ata kanë duruar një mjedis armiqësor mësimor dhe universiteti u ka mohuar vazhdimisht atyre aksesin në mjediset arsimore nga protestuesit antisemitë.
“Përgjigja e Harvardit ndaj kësaj: nuk bëri asgjë”, thuhet në padinë prej 44 faqesh të paraqitur në Gjykatën e Qarkut të Massachusetts.
“Fakulteti dhe administrata e tij mbyllën sytë ndaj antisemitizmit dhe diskriminimit kundër hebrenjve dhe izraelitëve. Studentët dhe anëtarët e fakultetit kanë shkelur rregullat e Harvardit në lidhje me kohën, vendin dhe mënyrën e sjelljes pa u ndëshkuar; rregulla që Harvardi i ka zbatuar dhe do t’i zbatojë kundër kujtdo tjetër”, thuhet më tej.
Ajo që kërkon qeveria është të ndalojë pagesën e të gjitha granteve ekzistuese për universitetin dhe kërkon që Harvardi të kthejë të gjitha grantet e paguara që të paktën nga 7 tetori 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin.
Presidenti i Harvardit, Alan Garber, ka pranuar se antisemitizmi është një problem në universitet dhe thotë se institucioni ka bërë përpjekje për ta adresuar atë.
Politico thekson se ky është episodi më i fundit në mosmarrëveshjen midis qeverisë federale dhe universitetit, por mund të jetë më seriozi deri më tani. Padia mund të jetë madje shkas për heqjen e të gjitha fondeve federale nga universiteti.
Marsin e kaluar, raportoi Politico, administrata Trump filloi një shqyrtim të granteve dhe kontratave federale prej rreth 9 miliardë dollarësh të Harvardit dhe më vonë ngriu më shumë se 2 miliardë dollarë në një goditje kundër antisemitizmit në universitet.
Kur universiteti kundërshtoi, administrata sfidoi të drejtën e Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë dhe kërcënoi përjashtimin e tij nga taksat.
Harvardi ngriti padi për të rifituar fondet federale të kërkimit dhe për të mbrojtur studentët e tij ndërkombëtarë. Në shtator, një gjyqtar federal mbajti anën e universitetit dhe vendosi që përpjekja e qeverisë për të ngrirë fondet ishte e paligjshme, një fitore e madhe për universitetin. Gjykatësi gjithashtu e ndaloi qeverinë të revokonte aftësinë e universitetit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë.