Adnan Rrustemi për Manastirin e Deçanit: Kurti deshti ta faktorizojë Rashiqin kundër Listës Serbe
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i ka dalë në mbrojtje shefit të tij, Albin Kurtit, pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se Kurti i kishte thënë se për hatër të tij po e zbatojnë vendimin për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.
Rrustemi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ është ankuar se si kjo nuk po shihet si angazhim i Kurtit për ta faktorizuar Rashiqin kundër Listës Serbe, shkruan Insajderi.
“Problemi i dytë është se deklaraten e Nenad Rashiqit nuk e shohin si angazhim të KM Albin Kurti për ta faktorizuar sadopak Nenad Rashiqin kundër Listës Serbe, por reagojnë të sinkronizuar thua ti po i shqetëson pse Lista Serbe i ka 9 deputetë e jo 10”, thuhet në deklarimin e Rrustemit.
“Kush angazhohet për shtet, punon me zvogëlu Listën Serbe, e me forcu deputetë serbë që e njohin Republikën, kurse ata që mendjen e kanë veç te pushteti sikur kanë interes që Lista Serbe t’i kishte 10 deputetë”, vijon më tej reagimi i tij.
Ndryshe nga Rrustemi, nga qeveria mbrëmë kanë thënë se Rashiqi e ka ngatërruar pranimin e ftesës së Kurtit për hyrjen e Patriarkut Porfirije në territorin e Kosovës për Krishtlindjet Ortodokse.
Postimi i plotë i Rrustemit
Çështja e vendimit për Manastirin e Deçanit ka qenë vendim i Gjykatës Kushtetuese, i pakthyeshëm, përveçse edhe kusht për Kosovën në rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Jashtë kësaj, problemi i parë është se si erdhi puna që Gjykata ta marrë këtë vendim, kurse pothuajse ata që sot po reagojnë kanë kontribuar në këtë vendim nga papërgjegjësia e humbja e afateve, siç ishte veçanërisht Komuna e Deçanit.
Problemi i dytë është se deklaraten e Nenad Rashiqit nuk e shohin si angazhim të KM Albin Kurti për ta faktorizuar sadopak Nenad Rashiqin kundër Listës Serbe, por reagojnë të sinkronizuar thua ti po i shqetëson pse Lista Serbe i ka 9 deputetë e jo 10.
Kush angazhohet për shtet, punon me zvogëlu Listën Serbe, e me forcu deputetë serbë që e njohin Republikën, kurse ata që mendjen e kanë veç te pushteti sikur kanë interes që Lista Serbe t’i kishte 10 deputetë.



