Agim Ademi emërohet anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se sot në Doha të Katarit është mbajtur mbledhja e parë inauguruese e Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s, ku ai është emëruar anëtar me mandat katërvjeçar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar se pjesëmarrja në këtë organ të rëndësishëm të FIFA-s është njëkohësisht krenari, privilegj dhe përgjegjësi e madhe.
Ai ka bërë të ditur se, sikurse edhe në Komitetin HatTrick të UEFA-s, do të japë kontributin e tij maksimal për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në përgjithësi.
Ademi ka theksuar se do të vazhdojë të jetë i angazhuar për futbollin e Kosovës në të gjitha mekanizmat vendimmarrës ndërkombëtarë, me synim krijimin e kushteve dhe mundësive sa më të mira për të rinjtë kosovarë që synojnë të zhvillojnë talentin dhe të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare./Periskopi/



