Agim Bahtiri: Shumë shpejt shqiptarët do të mund të kthehen te pronat e tyre në veri
Në një intervistë për Periskopin, Bahtiri ka thënë se së shpejti pritet që qytetarët shqiptarë të kthehen në pronat e tyre në veri si dhe qytetarët serbë të kthehen në pronat që i kanë në jug të qytetit.
Ndërsa, sa i përket rivalëve politik Bahtiri ka thënë se i vetmi subjekt politik që i ka mashtruara qytetarët e Mitrovicës është PDK-ja.
Bahtiri është përgjigjur edhe në lidhje me raportet e tij më Lëvizjes Vetëvendosje, gjendjen aktuale në Mitrovicë, për transparencën e dialogut Kosovë – Serbi, gjatë të cilit është diskutuar për Mitrovicë, mirëpo ka refuzuar të përgjigjet nëse në këtë qytet po zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Intervista e plotë:
Periskopi: Si i komentoni deklaratat e degës së PDK-së në Mitrovicë me që jeni kritikuar për punën tuaj, duke thënë madje se edhe 50 nuk do të ketë mashtues më të madh se ju?
Bahtiri: PDK-ja ende nuk po mund të pajtohet me humbje, prandaj edhe po vazhdon të shpif e të njollos. Kjo nuk i bënë nder askujt. Nëse ndokush i ka gënjyer e mashtruar qytetarët e Mitrovicës, atëherë janë drejtuesit e PDK-së, ish udhëheqës të komunës në Mitrovicë.
Periskopi: A ndiheni i kërcënuar nga PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme?
Bahtiri: Nuk e kam të qartë se për çfarë kërcënimi e keni fjalën. Por sidoqoftë, askujt nuk i frikësohem dhe askush nuk mund të më kërcënoj mua. Nëse mendoni për zgjedhje, atëherë ju them se po qe se vendosi të kandidoj, sërish do fitoj.
Periskopi: Çfarë raporte mbani me Vetëvendosjen dhe a e shihni veten në subjekt politik në një të ardhme të afërt?
Bahtiri: Me Vetëvendosjen kam raporte sikur me të gjitha partitë tjera. Kam mendim të mirë për këtë subjekt politik dhe për udhëheqjen e saj, por nuk e shoh veten në Vetëvendosje. Jam mirë në AKR.
Periskopi: Sa mendoni se ka transparencë në dialogun Kosovë – Serbi, kur dihet se një temë e ndjeshme e dialogut është edhe Mitrovica?
Bahtiri: Se a ka transparencë në dialogun me Serbinë, për këtë mund të pyesni në Prishtinë. Por, mund të ju them se për pjesën që ka të bëjë me Mitrovicën, ku edhe unë isha i inkuadruar në bisedime, transparenca ka qenë maksimale. Për çdo gjë lidhur me këtë e kam njoftuar opinionin e gjerë në mënyra të ndryshme dhe të detajuar.
Periskopi: Ditë më parë u larguan edhe dy bllokada në qytet. Duke u bazuar në këtë a mund të pritet normalitet në veri dhe qytetarët shqiptarë të kthehen në pronat e tyre?
Bahtiri: Heqja e barrikadës së fundit afër shkollës teknike në veri dhe e rrethrrotullimit në lagjen e Boshnjakëve, është treguesi më i mirë se gjendja në Mitrovicë pothuaj se është stabilizuar tërësisht. Ne po punojmë për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre në veri. Atje tani ka siguri. Kemi ndihmuar rindërtimin dhe meremetimin e mbi 20 shtëpive në lagjet e ndryshme veriore. Por, për të bërë më shumë po na mungojnë mjetet, prandaj edhe kemi kërkuar dhe ende kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ndaj në fond të veçantë për këtë qëllim. Po ashtu, edhe serbët mund të kthehen në pjesën jugore të qytetit kur të duan, sidomos ata në Frashër ku Qeveria e Kosovës ua ka ndërtuar shtëpitë, të cilat tani janë të zbraztë.
Periskopi: Edhe sa kohë sipas jush duhet për ta quajtur Mitrovicën qytet të qetë dhe me raporte të normalizuara mes shqiptarëve dhe serbëve?
Bahtiri: Raportet midis shqiptarëve dhe serbëve janë relaksuar dukshëm. Mitrovica tanimë është njëri nga qytetet më të stabilizuara në vend. Krimi dhe incidentet kanë shënuar rënie drastike, duke bërë kështu që Mitrovica të qëndroj më mirë se pothuaj të gjitha komunat tjera në vend./Periskopi/



