Agjentët amerikanë rrëfehen se donin të kryenin puç në Venezuelë dhe të kapnin presidentin Maduro
Televizioni shtetëror i Venezuelës ka shfaqur një video të një qytetari amerikan derisa duket se rrëfehet për komplotin për ta rrëzuar presidentin Nicolas Maduro dhe dërgimin e tij në ShBA.
Luke Denman është njëri prej 13 personave të arrestuar në vikendin e kaluar. Venezuela thotë se ata janë “mercenarë” inkursioni i të cilëve ishte zbuluar.
Z.Maduro shpesh ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se ka provuar të pushtojë vendin e tij dhe ta rrëzojë atë, shkruan BBC, përkthen Periskopi.
Z.Trump mohoi gjatë kësaj jave se kishte qenë i përfshirë në rast.
Sekretari i shtetit Mike Pompeo ndërkohë tha se qeveria amerikane do të përdorte “çdo mjet” për të siguruar kthimin e amerikanëve të kapur në ShBA.
Çka paraqiti televizioni venezueljan?
Në një video gjatë të mërkurës, z.Denman, 34 vjeçar, u duk se po shpjegonte se ishte punësuar që të trajnonte venezueljanët në Kolombi para se të kthehej në Karakas (kryeqytet i Venezuelës) që të merrte kontrollin e aeroportit për ta detyruar Maduron që të largohej nga vendi.
“Po iu ndihmoja venezueljanëve që të kthenin kontrollin e vendit të tyre,” tha z.Denamn, ish anëtar o forcave speciale.
Ai më tej shtoi se bashkë me Airan Berryn, 41 vjeçar, ishin kontraktuar nga Jordan Goudreau, një veteran ushtarak amerikan që udhëheq një firmë amerikane me bazë në Floridë, që ta niste këtë operacion.
Venezuela tha se do të kërkonte ekstraditimin e z.Goudreau, që e ka pranuar se ishte i përfshirë në këtë operacion.
Sipas z.Maduro, firma e tij kishte nënshkruar kontratë me liderin opozitar Juan Guaido, një politikan i parë nga ShBA-ja dhe shumë shtete evropiane si lider legjitim i këtij vendi.
“Donald Trump është shefi direkt i këtij invazioni,” tha Maduro gjatë një konference për shtyp, pasi ishte lëshuar videoja e z.Denman.
Ai tha se amerikanët do ta kishin një proces të drejtë gjyqësor. /Periskopi



