Ahmeti: Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi
Në letrën e tij, Ahmeti thekson se shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi parime të qarta dhe mbi respekt të ndërsjellë, ndërsa relativizimi i tyre hap debate të panevojshme.
“Ka çështje që nuk duhen trajtuar me pasion të ditës, por me pjekurinë që kërkon shteti. Ka tema që nuk janë as pronë e partive, as objekt garash politike, por pjesë e marrëveshjes sonë të përbashkët për të jetuar bashkë, të barabartë, në një shtet të përbashkët dhe evropian. Një prej këtyre çështjeve është statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, thuhet në letër.
Ai thekson se barazia nuk është slogan, por bindje politike dhe morale, duke shtuar se forca e shtetit qëndron te respekti i çdo qytetari dhe çdo populli.
“Sepse shteti bëhet i fortë jo atëherë kur njëra palë ndjehet superiore, por atëherë kur çdo qytetar dhe çdo popull ndjehet i respektuar, i njohur dhe i përfaqësuar me dinjitet të plotë. Pikërisht këtu qëndron pesha e gjuhës: ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por shprehje e identitetit, e dinjitetit dhe e barazisë kushtetuese”, u shpreh kreu i BDI-së.
Ahmeti është i prerë se gjuha shqipe nuk është çështje negocimi dhe lidhet drejtpërdrejt me themelet e shtetit.
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë”, thotë më tej ai.
Në reagimin e tij, kreu i BDI-së nënvizon se shqiptarët nuk kanë kontestuar gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, por kanë mbështetur një shtet të përbashkët dhe evropian.
“Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë”, deklaroi ai.
Ahmeti paralajmëron se çdo përpjekje për të kufizuar statusin e gjuhës shqipe cenon rendin kushtetues dhe kohezionin e shtetit.
“Prandaj, çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe nuk është thjesht debat juridik. Është prekje e një ekuilibri të ndërtuar me shumë mençuri politike”, tha Ahmeti.
Ai shpreh gjithashtu shqetësim për qasjet në Gjykatën Kushtetuese, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me frymën e Marrëveshja e Ohrit.
“Sepse institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të jenë gardiane të barazisë, jo hapësira ku vihet në pikëpyetje ajo që është fituar si standard i bashkëjetesës demokratike”, potencon ai.
Në letër përmendet edhe Komisioni i Venedikut, për të cilin thuhet se nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese për ligjin e gjuhëve.
“Komisioni nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare”.
Në fund, Ahmeti thekson se nuk ka kthim pas për të drejtat e fituara dhe se çdo tentativë për kufizim është e rrezikshme për stabilitetin e vendit.
“Kthim pas nuk ka! Të drejtat e fituara nuk negociohen dhe nuk zhbëhen. Çdo tentativë për të kufizuar zbatimin e gjuhës shqipe është regres i rrezikshëm”.
Ai e mbyll letrën me një mesazh të qartë politik:
“Ky është qëndrimi im. I qartë, i panegociueshëm dhe i pakthyeshëm: nuk ka të ardhme pa barazi, nuk ka barazi pa dinjitet, dhe nuk ka dinjitet pa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare”.
Ky reagim i Ahmetit vjen pasi Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka riaktivizuar përpjekjet për të shqyrtuar Ligjin e Gjuhës që kufizon zbatimin e gjuhës shqipe në vendin fqinj./Periskopi



