Ahmeti: Sot shqyrtohet dorëheqja e kryetarit të LDK-së, unë nuk do të vazhdoj si sekretar i partisë
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka folur për media para nisjes së Kuvendit të LDK-së, ku pritet të trajtohet çështja e drejtimit të partisë pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ahmeti ka bërë të ditur se në këtë mbledhje do të shqyrtohet vetëm dorëheqja e kryetarit aktual të LDK-së, duke përjashtuar diskutimet për çështje të tjera brenda partisë.
Ndryshe ai tha se është larguar nga posti i sekretarit në LDK, kjo për t’i hapur rrugë kuadrove të reja, duke konfirmuar kështu raportimin e Periskopit të publikuar javë më parë.
“Jemi në një fazë të shqyrtimit të dorëheqjes së kryetarit aktual. Sot trajtohet vetëm kjo çështje. Nuk besoj se duhet të vazhdohet me çështjen e sekretarit, sepse duhet të marrim përgjegjësi. Për më tepër, kjo nuk përputhet me punën time si kryetar komune. Dua të jap kontributin tim si kryetar i Komunës dhe të hap rrugë për gjenerata të reja”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndryshe Periskopi nga burimet e veta, ka raportuar para disa javësh që Ahmeti është dorëhequr nga pozita e sekretarit të kësaj partie.
Aktualisht po vazhdon të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK’së, derisa pritet që kryetari Lumir Abdixhiku të kërkojë votëbesimin e delegatëve, pas rezultatit zhgënjyes të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ndryshe Abdixhiku, e ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij para delegatëve të Kuvendit./Periskopi/



