Ahmeti: Thaçit nuk i pëlqen kur Albin Kurti takohet me Delawie-n
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka theksuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po i bën favore koalicionit PAN, për t’i bërë numrat.
Ai ka thënë se presidenti e ka vonuar deri tani thirrjen e seancës, për të blerë kohë për të nominuarin për kryeministër, Ramush Haradinaj.
“Hashim Thaçi po takohet kafeneve, restoranteve, sepse kështu po e degradon institucionin e presidentit. Madje, ai po mundohet me i bindë deputetët e dy subjekteve tjera që ta votojnë PAN-in”, ka theksuar Ahmeti për Telegrafin.
Sipas tij, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, nuk i ka 61 deputetë të cilët do ta votonin Qeverinë. Ai ka thënë se në vend nuk ka krizë.
“Në vend nuk ka krizë, sepse Kushtetuta ofron zgjidhje nëse mandatari i parë nuk ka mundësi ta formojë Qeverinë”, ka shtuar Ahmeti.
Ahmet ka thënë se Thaçi dhe klika e tij e ka problem që vendi të qeveriset prej Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ata janë në siklet kur po e shohin se Albini po takohet me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe me zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE), në Bruksel”, ka thënë ndër tjera Ahmeti.
Sipas tij, nuk ka legjitimitet që një deputet i zgjedhur nga cilado parti politike – ende pa u mbajtur seanca konstituive – votën e tij t’ia jap një subjekti tjetër.



