AKK: Qeveria po dështon në menaxhimin e vërshimeve dhe kompensimin e dëmeve

AKK: Qeveria po dështon në menaxhimin e vërshimeve dhe kompensimin e dëmeve

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë për mungesë veprimi përballë vërshimeve që kanë prekur disa komuna të vendit.

Ai tha se gjatë ditës ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera, duke theksuar se dëmet janë serioze si për ekonomitë familjare e bizneset, ashtu edhe për infrastrukturën publike. Sipas tij, situata më alarmante është në Malishevë, në lumin Mirusha, ku diga ndodhet në gjendje të rëndë dhe paraqet rrezik serioz, duke kërkuar intervenim të menjëhershëm dhe profesional.

Ibrahimi theksoi se komunat kanë ndërhyrë me mjete vetanake, por kjo nuk mjafton, derisa Qeveria vazhdon të vonojë mekanizmat e kompensimit. AKK ka kërkuar themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna dhe eliminimin e burokracisë që po i penalizon qytetarët.

Reagimi i plotë:

Gjatë ditës së sotme isha në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet.

Nga informacionet e pranuara dhe vlerësimet në terren, dëmet janë serioze, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe në mënyrë shumë më shqetësuese për infrastrukturën publike. Në veçanti, situata në komunën e Malishevës, në lumin Mirusha, është alarmante. Diga është në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik serioz, duke kërkuar intervenim të menjëhershëm, profesional dhe urgjent. Çdo vonesë rrit rrezikun për qytetarët dhe pronën publike.

Si AKK kemi kërkuar dhe kërkojmë themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore.

Njëkohësisht, kërkojmë eliminimin e burokracisë së panevojshme në procesin e rimbursimit të dëmeve, e cila po i penalizon qytetarët dhe komunat.

Është e rëndësishme të theksohet se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Megjithatë, ekonomitë familjare dhe bizneset nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë në vitet e kaluara. Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë (7) ura, dhe deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e tyre.

Kjo gjendje është e papranueshme dhe tregon qartë dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit. Nëse kuvendet komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve komunale, miratojnë vendime për dëmet dhe kompensimin, atëherë niveli qendror duhet t’i ekzekutojë këto vendime.

Në rast se niveli qendror nuk u beson këtyre vlerësimeve, atëherë le të formojë komisione vlerësuese nga niveli qendror, por vlerësimet e tyre duhet të ekzekutohen, e jo të mbesin peng i procedurave burokratike që zgjasin me vite. Nuk mund të vazhdojmë të kemi situata ku dëmet mbesin të pakompensuara për vite të tëra, ndërsa qytetarët dhe komunat mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore. Kjo gjendje duhet dhe duhet të ndryshojë.

Shpërndaje në: