Aksident zinxhiror në ShBA: Mbi 100 automjete përplasen gjatë stuhisë së borës
Mbi 100 automjete u përfshinë në një aksident zinxhir në autostradën Interstate 196 në shtetin amerikan të Miçiganit, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike të shkaktuara nga një stuhi bore.
Policia e Shtetit të Miçiganit njoftoi se autostrada u mbyll në të dy drejtimet pranë qytetit Grand Rapids, ndërsa ekipet e emergjencës po punonin për largimin e mjeteve, përfshirë mbi 30 kamionë të mëdhenj.
Sipas autoriteteve, janë raportuar disa të lënduar, por asnjë viktimë fatale, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë automjete të grumbulluara në rrugë të mbuluara nga bora.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për temperatura ekstremisht të ulëta dhe stuhi dimërore në disa shtete të ShBA-së, duke u bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal.



