Aksidenti ajror me 260 viktima në indi, hetuesit: Jemi ende larg zbulimit të shkakut që solli rrëzimin e avionit
Hetimi mbi shkakun e rrëzimit të aeroplanit të Air India në Ahmedabad të Indisë në qershor është larg përfundimit dhe nuk është e përshtatshme të nxirren përfundime të nxituara, tha drejtori ekzekutiv i linjës ajrore, Campbell Wilson, në një memo të brendshme të lëshuar të hënën pasi hetuesit publikuan një raport paraprak.
Memoja, e parë nga Reuters, vjen pas një raporti paraprak që zbuloi se kishte konfuzion në kabinën e pilotit pak para rrëzimit të Boeing Dreamliner, duke vrarë 260 persona, 241 nga 242 në bord dhe 19 në tokë.
Sipas raportit paraprak të Degës së Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB), furnizimi me karburant për motorët e avionit duket se është ndërprerë disa minuta pas ngritjes, duke çuar në rrëzimin e tij.“Publikimi i raportit paraprak shënon pikën në të cilën ne, së bashku me pjesën tjetër të botës, kemi filluar të fitojmë informacione të mëtejshme rreth asaj që ndodhi. Siç pritej, ai ka sqaruar disa gjëra, por gjithashtu ka ngritur pyetje të mëtejshme”, tha drejtori ekzekutiv i linjës ajrore.
“Raporti paraprak nuk ka identifikuar asnjë shkak dhe as nuk ka dhënë ndonjë rekomandim, kështu që do t’i nxisja të gjithëve të shmangin nxjerrjen e përfundimeve të nxituara pasi hetimi është larg përfundimit”, shtoi ai.
Menjëherë pas ngritjes, Boeing 787 Dreamliner, i cili ishte nisur nga Ahmedabad, Indi, me destinacion Londrën, humbi shtytjen dhe filloi të humbiste lartësinë para se të rrëzohej, sipas një raporti nga AAIB.
Raporti tha se paraprakisht nuk u gjet asnjë defekt mekanik ose probleme mirëmbajtjeje dhe se mirëmbajtja e kërkuar ishte kryer. Hetimi po drejtohet nga AAIB, një agjenci në varësi të ministrisë së aviacionit civil të Indisë.
Pas rrëzimit, Air India iu nënshtrua auditimeve të shumta në fusha të ndryshme.



