Aksion i suksesshëm i Policisë, kapet mariuhanë e heroinë në vlerë 80 mijë euro
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimet për trafikim me lëndë narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi i të dyshuarve është bërë në bashkëpunim me AKI dhe njësitet relevante të Policisë.
“Më 31 janar 2026 hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Njësia Ferizaj, në koordinim dhe bashkëpunim me AKI-në dhe të ndihmuar nga njësi policore të trafikut-autostradës, rreth orës 20:30, në autostradë segmenti Doganaj-Kaçanik, kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se me atë veturë po kryhej trafikim me lëndë narkotike. Në veturë janë hasur dy persona meshkuj, shtetas të Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësi të provave materiale:
20 paketime me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 6.4 kg;
6 paketime me substancë, dyshohet të jetë narkotike e llojit heroinë, me peshë 3.2 kg;
Dy telefona mobil dhe
Një veturë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Vlerësohet se çmimi i tregut të kësaj sasie të lëndëve narkotike sillet rreth 80 mijë euro.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar, pas interevistimit dy të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë.



