Aksioni në ARBK, MINT: Ka ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor
Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit ka reaguar për aksionin e zhvilluar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Në njoftim, MINT deklaron se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. “Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”.
Pos tjerash, në reagim theksohet se Ministria dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.
“Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që regjistrohen apo kryejnë ndryshime në këtë institucion. MINTI do të vazhdojë të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje”.



