Aksioni në ARBK, Prokuroria jep detaje: Po zhvillohet për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të pozitës
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje për aksionin e realizuar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në njoftimin e prokurorisë, bëhet e ditur se aksioni është realizuar për penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
‘’Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit’’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Komunikata e plotë:
Aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve
Prishtinë, 18 Mars 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion.
Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së.
Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit.
Lidhur me zhvillimet e mëtejme, do të njoftoheni në vazhdimësi.



