Aktori i njohur i Hollywoodit: Jam homoseksual
ktori i njohur i Hollivudit Kevin Spacey, të dielën ka bërë të ditur se është homoseksual dhe kjo vjen pasi kolegu i tij Anthony Rapp, e ka akuzuar për ngacmim seksual. Rapp, i cili sot është 46-vjeçar, ka rrëfyer për media se ai dhe Spacey janë takuar në vitin 1986 në Broduei.
Në atë kohë Kevin ishte 26 ndërsa Anthony 14-vjeçar. Një mbrëmje, Spacey e kishte ftuar atë në banesën e tij në një aheng, por aty nuk ishte askush tjetër përveç aktorit të dehur.
“Më ka bartur në duar sikurse dhëndri që e bart nusen dhe pastaj është shtrirë mbi mua”, ka rrëfyer Rapp dhe ka shtuar se ishte i vetëdijshëm se kolegu i tij donte ta shfrytëzonte seksualisht. Spacey, për prirje seksuale të të cilit po flitet me vite, përmes Twitter-it ka shkruar se nuk e mban mend këtë ngjarje.
“E respektoj shumë Anthony Rapp. Ky rrëfim më ka tmerruar dhe sinqerisht nuk e mbaj në mend sepse ka ndodhur para 30 viteve. Nëse jam sjell në atë mënyrë, i kam borxh kërkimfaljen më të sinqertë për sjelljen në gjendje të dehur dhe më vjen keq për ndjenjat të cilat ai i bartë gjithë këto vite”, ka shkruar Spacey dhe pastaj ka zbuluar disa gjëra tjera për veten.
“Ky rrëfim më ka inkurajuar që të pranoj disa gjëra për veten time. E di se për këtë flitet me vite, para se gjithash sepse e ruaj privatësinë time. Siç e dinë më të afërmit, me vite ka pasur lidhje si me meshkuj, ashtu edhe me femra. Tani kam zgjedhur të jetoj si homoseksual. Dua të përballem me këto gjëra”, ka deklaruar ai.



