“Albulena Haxhiu udhëheqë 6 muaj presidencën si U.D”, çfarë kompetenca ka nëse sërish dështon zgjedhja e presidentit?

“Albulena Haxhiu udhëheqë 6 muaj presidencën si U.D”, çfarë kompetenca ka nëse sërish dështon zgjedhja e presidentit?

Me afatin e caktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit që po afrohet, Kosova ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm dhe të ndjeshëm për stabilitetin institucional.

Nëse Kuvendi dështon përsëri të zgjedhë kreun e shtetit, vendi mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhor, i cili mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve.

Avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për Gazetën Infokus, ka theksuar pasojat ligjore dhe kushtetuese që mund të sjellë moszgjedhja e presidentit, transmeton Periskopi.

Ai ka sqaruar se çdo gjë tashmë është e qartë nga ana juridike dhe nuk ka vend për interpretime të tjera.

Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese u ka dhënë deputetëve një mundësi të qartë për ta përmbushur obligimin e tyre.

“Gjykata kushtetuese me vendimin e fundit u ka dhënë një mundësi shtesë deputetëve që në afat prej 34 ditësh ta përmbushin detyrimin e tyre, ta zgjedhin presidentin/en e vendit. Mos përmbushja e këtij detyrimi brenda këtij afati nënkupton dështimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht shpërndarjen sipas fuqisë Kushtetuese dhe për pasojë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, ka theksuar Bajraktari.

Ai ka theksuar se aktualisht nuk sheh nevojë për një ndërhyrje të mëtejshme nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se situata është tashmë e qartë nga ana juridike.

“Sa i përket kësaj çështje, deri tani nuk vlerësoj se ka hapësirë për ndërhyrje nga Gjykata Kushtetuese. Detyrimi është i qartë dhe po ashtu janë të qarta edhe pasojat nëse ky detyrim nuk përmbushet. Megjithatë, do të mbetet për t’u parë se si do të veprojnë subjektet politike, veçanërisht subjekti politik fitues i zgjedhjeve,” ka shprehur ai.

Bajraktari ka shtuar se moszgjedhja e presidentit brenda afatit të caktuar do të krijojë automatikisht bazë për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Mos zgjedhja e Presidentit/es brenda afatit prej 34 ditësh që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese Kuvendit, vendi sipas fuqisë Kushtetuese shkon në zgjedhje, të cilat Ushtruesja e Detyrës së presidentes ka detyrim që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme”, potencoi Bajraktari.

Ai ka sqaruar gjithashtu se në periudhën tranzitore, funksionin e presidentit e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila nuk ka asnjë kufizim sa i përket ushtrimit të kompetencave presidenciale.

“Pas përfundimit të mandatit të Presidentes Osmani, ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës, sipas funksionit, e merr Kryetarja e Kuvendit. Për periudhën gjatë së cilës ajo ushtron këtë funksion, e cila, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, mund të zgjasë maksimalisht deri në gjashtë (6) muaj, dhe se nuk ekziston asnjë kufizim kushtetues apo ligjor sa i përket ushtrimit të kompetencave presidenciale”, ka potencuar Bajraktari.

Nga ana tjetër, ndërsa afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese po afron, partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri, pavarësisht se ka kaluar një javë që nga nisja e afatit njëmujor të caktuar nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.

Madje, në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti iu drejtua gazetarëve duke thënë se ka ende kohë për këtë.

“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk jam gabim, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë. Pra, nuk janë 3 ditë, janë 30. Por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa më shumë,” tha ai.

Ai shtoi se për të nisur diskutimet me opozitën, fillimisht ka nevojë për “konsultime të brendshme”, por që deri më tani, nga dita kur Kurti e bëri këtë deklaratë, këto konsultime nuk janë realizuar.
Pra, që nga data 30 mars, nuk ka pasur ndonjë takim të kryesisë së partisë në pushtet ku mund të ishte diskutuar për çështjen e presidentit.

Kujtojmë se javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për të zgjedhur kreun e shtetit. Në të kundërt, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Mandati i presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, mbaron më 4 prill dhe ligjvënësit kanë tani kohë deri më 28 prill për ta zgjedhur pasuesin e saj.

Megjithatë, që nga nxjerrja e aktgjykimit për këtë afat, kanë kaluar shtatë ditë, dhe deri tani nuk janë ndërmarrë veprime në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje apo arritjes së një marrëveshjeje për presidentin, të paktën jo në publik.

Shpërndaje në: