Ali Ahmeti: Epopeja e UÇK-së mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës

Ali Ahmeti: Epopeja e UÇK-së mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përkujtuar përvjetorin e Epopesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë krenarie dhe kujtese kombëtare për shqiptarët kudo në botë.

Në një postim në Facebook, Ahmeti ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje dhe sakrificën e familjes Jashari gjatë luftës për liri.

“Për çdo shqiptar, anë e mbanë botës, datat 5, 6 dhe 7 mars janë ditë të krenarisë dhe kujtesës kombëtare, ditë kur përkujtojmë përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të popullit tonë”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka përkujtuar edhe figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, duke theksuar sakrificën e familjes së tij në Prekaz.

“Në këto ditë të shënuara kujtojmë me respekt dhe nderim luftën e lavdishme të komandantit legjendar, Adem Jasharit, i cili së bashku me familjen e tij, me prindër, vëllezër, gra e fëmijë, me ‘besa besë’ e me trimëri të pashoq, luftuan përballë forcave të armikut dhe sakrifikuan jetën heroikisht për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet simbol i qëndresës dhe unitetit kombëtar.

“Epopeja e UÇK-së mbetet simbol i qëndresës, unitetit dhe sakrificës. Gjaku i derdhur në Prekaz e anë e mbanë Kosovës na obligon që të ruajmë dhe forcojmë lirinë, të punojmë për unitet kombëtar dhe për një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, ka shkruar ai.

Shpërndaje në: