Ali Ahmeti uron Krasniqin për rizgjedhjen, përmend Thaçin dhe Veselin: Do të kthehen fitimtarë – Kosova është zemër

Ali Ahmeti uron Krasniqin për rizgjedhjen, përmend Thaçin dhe Veselin: Do të kthehen fitimtarë – Kosova është zemër

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka uruar rizgjedhjen e Memli Krasniqit në krye të PDK’së, raporton Periskopi.

Ai në një postim në Facebook përmendi dhe ish krerët e UÇK’së të cilët dikur udhëheqnin PDK’në duke thënë se do të kthehen fitimtarë.

Ahmeti thotë që do jetë afër Krasniqit, pasi sic thotë ai Kosova nuk është vetëm tokë e një shteti të ri, por zemra.

 

Postimi i plotë:

I dashur Memli,

Me përzemërsi të veçantë të uroj për rizgjedhjen si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një proces demokratik që reflekton pjekurinë politike dhe vlerat që përfaqëson PDK-ja në skenën politike të Kosovës.

E vlerësoj lart guximin dhe përkushtimin tënd për të marrë përgjegjësi në kohë sfiduese, duke qëndruar i përkushtuar ndaj rrugës së drejtë që trasuan themeluesit dhe udhëheqësit historikë të kësaj partie, të cilët i presim të kthehen fitimtarë. Kosova ka nevojë për zërin, urtësinë dhe përvojën e tyre, dhe uroj që sa më parë t’i kemi sërish në mesin tonë.

BDI dhe PDK i bashkojnë vlerat themelore të demokracisë, lirisë, shtetndërtimit dhe aspiratës së përbashkët për integrimin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Do të më kesh gjithmonë mua dhe Bashkimin Demokratik për Integrim si partnerë të përkushtuar për bashkëpunim të ndershëm dhe të frytshëm, sepse Kosova për ne nuk është vetëm tokë e një shteti të ri, por është zemër, është kujtim dhe është përmbushje e ëndrrave shumëgjeneratëshe.

Të uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në misionin tënd për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe paqen e qëndrueshme në rajonin tonë.

Shpërndaje në: