Allardyce: Është herët të vendos nëse Rooney mbetet kapiten i Anglisë
Trajneri i ri i kombëtares së Anglisë në futboll, Sam Allardyce deklaroi se është herët që në këtë fazë të marrë vendim nëse Wayne Rooney do të mbetet kapiten i “Albionëve”.
Pas ndihmës që ia dha Sunderlandit sezonin e kaluar për të mbetur në Premier ligë, 61 vjeçari Allardyce braktisi klubin për të zëvendësuar Roy Hodgsonin në pankinën e kombëtares angleze.
Duke folur në konferencën e parë për mediat në cilësi të trajnerit, ai tha se është herët të flitet nëse Wayne Rooney do të mbajë shiritin e kapitenit.
“Do të pres derisa të takohem me lojtarët dhe me stafin e trajnerëve me të cilët do të planifikojmë ndeshjet e shtatorit”, tha Allardyce.
Big Sam, siç njihet ndryshe në Angli, debutimin do ta ketë më 4 shtator kundër Sllovakisë në kualifikimet për Botërorin i cili do të mbahet në Rusi në vitin 2018.
Gjatë karrierës së tij ka drejtuar shumë klube, ku vlejnë të veçohen Newcastle United, West Ham United, Blacburn Rovers dhe Bolton Wanderers.



