Analisti Gashi debatin në TV Dukagjin me Xhabir Zharkun, e quan të gërditshëm

Analisti Gashi debatin në TV Dukagjin me Xhabir Zharkun, e quan të gërditshëm

Analisti Krenar Gashi, në një publikim në rrjetin social “Facebook”, e ka quajtur të ‘gërditshëm’ debatin e RTV Dukagjinit me ish-kryetarin e Komunës së Kaçanikut nga radhët e PDK’së, Xhabir Zharkun, i cili ishte arratisur në Suedi, kur ishte dënuar me burg për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, raporton Periskopi.

Zharku ishte i futur në emisionin ‘Debat plus’ që transmetohet në RTV Dukagjini në prime time, përballë analistëve Imer Mushkolaj e Betim Musliu.

Gashi shkruan se drejtësia nuk debatohet, por gjykohet e zbatohet.

“Sidomos, s’ka çka debatohet ‘drejtësia’ për një kriminel të dënuar i cili falë krimit të organizuar në politikë e gjyqësor dhe idiotësive të misionit të EULEX-it arriti t’i shmanget vuajtjes së dënimit”, shkruan ai.

Sipas tij, Zharkun do të duhej ta shpërfillnin e ta trajtojnin si kriminel.

Lexoni të plotë reagimin e Gashit:

RTV Dukagjini sot paska organizu debat, në prime time, për drejtësinë e Xhabir Zharkut. Gërditshëm. Seriozisht gërditshëm!

Miq në Dukagjin, ju e dini që drejtësia nuk debatohet. Ajo gjykohet e zbatohet. Sidomos, s’ka çka debatohet ‘drejtësia’ për një kriminel të dënuar i cili falë krimit të organizuar në politikë e gjyqësor dhe idiotësive të misionit të EULEX-it arriti t’i shmanget vuajtjes së dënimit. Kjo nuk e bën atë më pak të fajshëm. Nuk e bën atë më pak kriminel. Nuk e bën më të denjë për shoqërinë. Për më shumë, ikja nga drejtësia e bën më të papranueshëm në shoqëri. Dhe në vend se ta përbuzim, që do ishte e pakta që do duhej bënim sa i përket këtij turpi kolektiv, në vend se ta shpërfillim dhe ta trajtojmë për atë që është — pra kriminel — ne bëhemi kinse po e përqeshim, e në fakt e shpërlajmë përmes dhënies së hapësirës primare televizive. Pra s’ka lidhje çka është thënë sonte në atë debat. S’ka lidhje nëse edhe janë thënë pikërisht këto që po i shkruaj unë. Vetë prezenca e një krimineli në studiot tuaja është aq e dëmshme për këtë shoqëri sa që nuk besoj se do ndjehesha rehat ta ndjekja më programin tuaj, e lëre më të jem ndonjëherë në të njëjtën studio.

Shpërndaje në: