Analiza e ‘BILD’: Nëntë gabimet e Mesut Ozilit në letrën ku deklaroi pensionimin nga kombëtarja gjermane

Analiza e ‘BILD’: Nëntë gabimet e Mesut Ozilit në letrën ku deklaroi pensionimin nga kombëtarja gjermane

Mesut Ozil ka publikuar dje tri letra të ndryshme në rrjetet sociale, ku rrëfen pak a shumë se çfarë e ka bezdisur më shumë gjatë javëve të fundit dhe kush e shtyu atë që të merrte vendimin për t’u tërhequr nga kombëtarja.

Ai akuzon fillimisht Federatën Gjermane të Futbollit, median dhe sponsorët e kombëtares. Mesazhi i tij i parë ishte: “Vetëm një njeri nuk mund të mbajë përgjegjësi për një dështim kaq të madh”.

Më tej, ai vazhdon me kritika të forta kundrejt federatës, duke thënë: “Kur Gjermania fitonte me atë në fushë, ai ishte gjerman, ndërsa kur humbte, ishte thjesht një emigrant… “. Ozil nuk ndalet dhe sërish lëshon akuza të forta në adresë të federatës: “Trajtimi që më bëri federata në periudhën e fundit më bëri të marr vendimin që të mos e vesh më fanellën e Gjermanisë. Ndihem i padëshiruar aty”.

ANALIZA

E përditshmja “BILD” ka analizuar situatën tepër konfuze të krijuar së fundmi për çështjen “Ozil”, duke e konsideruar atë si një precedent të rrezikshëm jo vetë për futbollin gjerman, por edhe për atë europian. “E vërtetë është që Ozil u kritikua shumë për foton me Erdoganin, por po kaq shumë u kritikua edhe Matues për foton me Putinin”, shkruan prestigjiozja “BILD”.

GABIMI I PARË

“Edhe pse jam rritur në Gjermani, rrënjët e mia janë në Turqi. Kam dy zemra, një gjermane dhe një turke. Nëna ime më ka mësuar që të mos harroj kurrë se nga vij. Këto janë vlera që unë i ruaj edhe sot. Fotoja me presidentin Erdogan nuk kishte të bënte me politikën, por me respektin për zyrtarin më të lartë të vendit të familjes time”, shkruan Ozil. Analiza e Bild: Ozil për asnjë moment nuk shfaqi shenjë pendese, apo të bënte qoftë edhe një autokritikë formale për foton me presidentin e Turqisë, aq shumë i kritikuar për shkeljen e të drejtave njerëzore.

Ozil bën mirë që i ruan “vlerat” e vendit të tij, por duhet të mos harrojë se Turqia është një vend që e do lirinë dhe në aspektin fetar është shumë i moderuar. Për fat të keq, gjatë kohës që drejtohet nga Erdogan ky vend po rrëshqet drejt një diktature islamike. Erdogan pothuajse ka zhdukur median e lirë dhe ka burgosur shumë gazetarë turq dhe gjermanë që e kanë kritikuar atë. Ozil për fat të keq nuk thotë asnjë fjalë rreth kësaj në letrën e tij”, vijon “BILD”.

GABIMI I DYTË

“Nuk do të kish asnjë ndryshim nëse do të ishte presidenti i Gjermanisë apo i Turqisë. Për mua është njësoj”, shkruan ndër të tjera Ozil. Analiza e Bild: Gabim trashanik. Presidenti i Gjermanisë pikë së pari përfaqëson një vend me demokrat dhe nuk ka fuqinë e Erdoganit. Ky i fundit përherë e më shumë po e përqendron pushtetin në duart e veta dhe ka shkarkuar mijëra funksionarë të shtetit që e kritikojnë, apo që nuk votojnë për të. As kjo nuk i falet Ozilit”.

GABIMI I TRETË

“Kushdo që të ishte rezultati i zgjedhjeve, unë sërish do ta kisha bërë foton me Erdoganin”, ka shkruar Ozil. Analiza e Bild: Kokëfortësi e pastër. Në Gjermani Erdogani ka marrë rezultatin më të mirë ndër turqit që jetojnë aty, edhe për shkak të propagandës që bëri ozil. Absurditet i madh: turqit që jetojnë në liri të plotë në Gjermani zgjodhën një diktator për bashkatdhetarët e tyre në Turqi. Kjo gjë Ozilit nuk i intereson.

GABIMI I KATËRT

Në pjesën e dytë të letrës Ozili akuzon median se e masakroi atë duke përdorur edhe faktin që kishte dy nënshtetësi. “Ajo që nuk mund të pranoj dot është se media vazhdimisht më përmend faktin që jam me dy nënshtetësi”, thotë Ozil. Analiza e Bild: Marrëzi totale. Rast i pastër kur nis të autoviktimizohesh. Asnjë gazetë gjermane apo portal, apo radio nuk i ka përmendur Ozilit rrënjët e tij. Aq më pak ndonjë media t’ia ketë faturuar vetëm atij dështimin në Rusi.

GABIMI I PESTË

“Disa gazeta e kanë përdorur foton time me Erdoganin si një mënyrë propagande për qëllimet e tyre”. Analiza e Bild: Ja pra, Ozili i rrezikshëm dhe shumë afër mentalitetit të Erdoganit. Kushdo që e kritikon, fsheh nga pas një qëllim politik. Tërësisht e pavërtetë. Ozil është kritikuar, shumë madje, sepse ishte në formë të dobët. Por, po kaq shumë janë kritikuar edhe të tjerët, madje edhe vetë trajneri Lëv.

GABIMI I GJASHTË

“Pse media është marrë vetëm me mua gjatë kohës që ishim në Gjermani dhe përse ato përpiqen të ngrenë gjermanët kundër meje? E bëjmë vetëm se jam me origjinë turke… “, vazhdon Ozil. Analiza e Bild: Budallallëk i pastër. Të gjitha mediat kanë kritikuar Ozilin për atë që dha në fushë dhe jo për origjinën e tij. Një kokëfortësi gati idiote, tipike e diktatorëve dhe atyre që guxojnë ta baltosin shtypin e lirë me tema që prekin direkt interesin ose krenarinë e individëve. Kjo madje është edhe e ulët. Të gjitha mediat në Gjermani, por sidomos BILD, ka qenë po kaq e ashpër edhe me foton që bëri Lotar Mateus me Putinin.

GABIMI I SHTATË

“Një sponsor i imi, por edhe i kombëtares u largua ende pa nisur kampionati botëror. Ndërkohë, kur duhet të bënim xhirimet për reklamën e sponsorit gjeneral të kombëtares, mua më hoqën nga lista, sepse sapo ishte publikuar foto me Erdoganin. E gjitha kjo erdhi sepse media kishte kërkuar ndëshkimin tim. Ndërkohë, një ministër sapo kishte kritikuar sponsorin tonë kombëtar për produkte jo të rregullta dhe më pas mijëra prej tyre u hoqën nga tregu. Ato rrezikonin ndoshta jetën e dikujt, po fotoja ime çfarë rrezikonte?”, pretendon Ozil. Analiza e Bild: Vazhdon të viktimizohet, sepse sado që është kritikuar për atë foto, askush nuk ka kërkuar përjashtimin e Ozilit nga Kombëtarja. As para dhe as pas Botërorit. Ndërkaq, nëse i referohet çështjes së “Mercedesit” për problemet me naftën, kjo nuk ka të bëjë fare me realitetin ku ndodhet Ozil. Është thjesht një manovër shpërqendrimi e dobët për të thënë se “ka më keq se unë, pse merreni vetëm me mua….

GABIMI I TETË

“Reinhard Grindel tha pas Kupës së Botës se unë duhej të jepja shpjegime”. Po pse? Sepse atij i duhet një kokë turku që ta bëjë shembull dhe të shpëtojë nga përgjegjësitë që ka për dështimin? Kur fitojmë jemi gjermanë, ndërsa kur humbim jemi emigrantë…. unë kam lindur dhe jam rritur këtu. Pse nuk qenkam gjerman?” Analiza e Bild: Djaloshi bën gabime trashanike, duke i veshur vetes tipare të një viktime racizmi antiislam. Por, edhe në këtë rast Ozil i bën gjërat e thjeshta sepse bie me këmbët e veta. Po, sepse fotoja e tij me Erdoganin është kritikuar nga të gjithë shtetarët e lartë të kampeve të ndryshme politike. Injoron gjithashtu faktin se fushata për një diktator bie ndesh me parimet dhe vlerat e federatës gjermane të futbollit.

GABIMI I NËNTË

Fjalët e fundit të Ozilit ishin: “Nëse funksionarët e lartë të federatës nuk respektojnë rrënjët e mia turke dhe më përdorin për propagandë, atëherë unë nuk kam se çfarë të bëj. Nuk është ky motivi, për të cilin unë luaj futboll. Racizmi nuk duhet pranuar kurrë”. Analiza e Bild: Ky është një qortim që ai nuk i bën vetëm Grindelit, por gjithë Gjermanisë. Një shuplakë në fytyrë për miliona fansa që e kanë admiruar pa paragjykime.

Shpërndaje në: