Analizë: Elementi që u zhduk nga futbolli në 10 vitet e fundit dhe boom-i i golave

Analizë: Elementi që u zhduk nga futbolli në 10 vitet e fundit dhe boom-i i golave

Pse përnjëherë po shënohen kaq shumë gola?

Të gjithë e mbajmë mend sezonin e parë të Mourinho-s në Real Madrid. Humbjen turpëruese 5 me 0 nga Barcelona. Tifozët madrilenë që të pakënaqur e fishkëllenin Mourinhon edhe kur ekipi i tij fitonte. Në atë vit, Mourinho aplikoi futboll mbrojtës – që është taktika me të cilën identifikohet. Mourinho pa atë mënyrë loje, nuk ekziston. Dhe vërtetë, Mourinho megjithëse formalisht ishte në Madrid, në dy vitet e tjera, ai ishte vetëm sa për sy e faqe. Sa për të motivuar ekipin. Sepse Real Madridi nuk kishte taktikë. Luante për të shënuar gola e për të argëtuar tifozët.

Njësoj edhe në Manchester United. Vitin e kaluar Mourinho u lejua të aplikonte futbollin e tij mbrojtës. Që rezultoi me fitoren e Europa League-s, por vetëm me vendin e gjashtë në Premier Ligë. E ky ishte qartë dështim pas gjithë atyre investimeve. Sivjet, përsëri Mourinho nuk ekziston. United po aplikon futboll sulmues ndaj ekipeve të vogla – dhe po fiton falë kualitetit të lartë të sulmuesve. Por në lojët e mëdha, megjithatë Mourinho po ngulmon të aplikojë taktikën e tij – e që rezultoi sërish jofrytdhënëse dhe e mërzitshme për tifozët e United [barazimi i palavdishëm me Liverpool dhe humbja ndaj Chelseat].

Në përgjithësi, ekipet e kanë ndryshuar mënyrën sesi luajnë futboll. Të gjitha sulmojnë, pa përjashtim. Ka gola më shumë se asnjëherë tjetër. Ndërkohë që, periudha e para 3-4 vitesh ishte shumë më shterpe dhe prodhonte kryesisht futboll të mërzitshëm. Sepse ky ishte futbolli përmes të cilit fitohej. Ta zëmë, kështu e fitoi Mourinho Ligën e Kampionëve me Interin dhe Porton. Kështu e fitoi Italia Kupën e Botës. Madje edhe Spanja [megjithëse, taktikë mbrojtëse këtu është posedimi i lartë i topit, që i mundësoi Spanjës të pësonte vetëm një gol në gjithë turneun e Kupës së Botës]. Kështu e fitoi Greqia kampionatin evropjan. Por në përgjithësi, në nivel kombëtaresh nuk ka ndonjë ndryshim sepse edhe Portugalia e fitoi vitin që shkoi Kampionatin Evropjan përmes po asaj taktike. Sidoqoftë, në nivel klubesh gjërat kanë ndryshuar.

Çfarë ka ndodhur? Popullariteti i futbollit është në rrezik. Kjo lojë po bëhet bajate nga përsëritja e përvitshme dhe gati e njëtrajtshme e garave kryesore. Përgjithësisht, i kemi të njëjtët kampionë dhe të njëjtët pretendentë. Gara është mbyllur. Në nëntë vitet e fundit, tetë herë pjesëmarrëse në finale të Ligës së Kampionëve ishin Barcelona dhe Real Madridi. Ndërkohë, pretendendë serioz zor se ishin më shumë se gjashtë. Ky përbën një dallim thelbësor me futbollin që luhej në vitet 90, ku gara ishte mosvet e hapur dhe ku hapësira që i lejohej befasisë, ekipeve befasuese, ishte shumë e madhe. Gjysma e ekipeve që merrnin pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, kishin gjasa reale për të shkuar në majë. Crvena Zvezda ishte kampion. Poashtu edhe Marseja. Pastaj e kishim edhe Valencian dy herë rresht finaliste. Por tashmë, ekipet e këtij niveli as që mund të ëndrrojnë për një gjë të tillë. Shkaku? Diferenca e madhe financiare.

Sot, kampioni i Ligës ose Ligës së Kampionëve ose edhe pretendët kryesor bëhen të ditur që në verë – përmes transferimeve që bëjnë. Dhe në këtë aspekt, ekipet humbëse i thellojnë humbjet vit pas viti. Sepse ekipet fituese i rrisin në vazhdimësi fitoret.

Kjo ka bërë që futbolli të jetë në dorën e një grusht njerëzish – pronarë të klubeve kryesore evropjane. Këta pronarë nuk kërkojnë me ngulm titujt, por atë që është më e nevojshme për t’i rritur profitet e tyre: spektaklin dhe golat. Arsenali, që shquhet për lojë të bukur, i ka biletat më të shtrenjëta në evropë, pavarësisht që ka fituar vetëm kupën FA në katër vitet e fundit – dhe asnjëherë Ligën e Kampionëve.

Nuk kërkohet më fitorja – në stilin e Mourinhos – por loja në stilin e Wengerit e të Cruyffit. Dhe nëse Wenger nuk kishte mundësitë financiare që me Arsenalin e tij të konkuronte Real Madridin, Barçën, Bayernin, Parisin e dy Manchesterët – këta pronarë i kanë këto mundësi.

Por, Wengeri e sillte lojën e bukur sidoqoftë, me anë të futbollistëve jo-aq-kulmor teknikisht. Këta pronarë po e ofrojnë futbollin e bukur përmes ngushtimit të konceptit të garës, dhe duke e marrë të gatshme punën që bëhet me të rinj në klube gjithandej evropës. Kjo ka bërë që futbolli real t’i përngjajë gjithnjë e më shumë atij virtual, Playstation psh, ku çdo aksion e çdo gol, është i disa stileve të përcaktuara qysh më parë nga teknikët e lojës – dhe ku humb ndjesia e asaj që është spontane e reale.

Futbolli i Wengerit nuk ishte thjesht i bukur. Ai kishte një dimension që këto ekipe të mëdha, e kanë të pamundur ta ofrojnë: spontanitetin. Golat që kemi parë në vitet 90, ose edhe në pesë vitet e parë të 2000-ave, mund të kenë qenë teknikisht më të parealizuar – por ishin shumë më të bukur pikërisht shkaku i skemave të pamenduara e të krijuara atypëraty. Pra, si shkak i spontanitetit.

A do ta humbë futbolli popullaritetin? Padyshim që po. Biles, ky ndryshim i përnjëhershëm në taktika, është një simptomë e qartë e kësaj gjëje. Nëse gjërat vijojnë të jenë kaq të përcaktuara jashtë fushe e në fushë, atëherë audienca globale do të bëhet gjithnjë e më e ftohtë ndaj sportit më popullor në botë. PERISKOPI

Shpërndaje në: