Ancelotti: I frikësohesha PSG-së, Celtic ka tifozeri të zjarrtë, Anderlecht me cilësi të lartë
Në shorteun, i cili u mbajt pasditen e djeshme, skuadra e kampionëve gjermanë do të përballet me skuadrën e ekipit të kryeqytetit francez, PSG-në. Sa i përket mbrojtësit gjerman, Antonio Rudiger, tanimë do të ketë mundësinë e një ribashkimi me shokët e tij gjermanë.
Mirëpo nga ana e mentaliteteve këto dy skuadra kanë një diferencë shumë të madhe nga njëra-tjetra.
Një prej karakteristikave që i distancojnë këto dy klube është edhe mentaliteti në shpenzimet e merkatos.
Këtë verë skuadra e PSG-së ka bërë blerjen më të shtrenjtë të historisë së futbollit botëror me atë të yllit brazilian, Nejmar për shifrën prej 222 milionë euro.
Nga ana tjetër, kampionët gjermanë kanë shpenzuar një total prej rreth 103.5 milionë euro për blerjen e katër lojtarëve në merkaton e kësaj vere.
Vetë filozofia e tyre ka qenë shpenzimi sa më i ulët në merkato, çka është vërtetuar edhe nga deklarata e presidentit Uli Hënes: “Shpenzimi i shumave kaq të mëdha është një shenjë dobësie nga ana e klubeve”.
Tani ai do të ketë mundësinë të bëjë krahasimin e vërtetë duke parë se sa vlejnë lojtarët e tij dhe ata të skuadrës së kryeqytetit francez.
Pas shorteut, tekniku italian, Karlo Ançeloti ka vlerësuar kundërshtarët e grupit B duke thënë se: “Është një grup me skuadra tepër interesante ku kapakun ia vë ajo e PSG-së, të cilës i druhesha më shumë.
Është një ndjesi mjaft e bukur për mua që do të kem mundësinë të luaj ndaj ish-klubit tim. Skuadra e Selltikut ka një suport madhështor nga fansat e zjarrtë të tij sikurse të gjithë e dimë, ndërsa Anderlehti është kampioni i Belgjikës, me mjaft potencial dhe një kualitet, i cili nuk duhet nënvlerësuar aspak.
Do të kemi mundësinë të ndeshemi me tre ekipe të ndryshme por shumë të vështira”.
Në historinë e Ligës së Kampionëve, kampionët gjermanë të Bajernit janë ndeshur gjithsej gjashtë herë me skuadrën e PSG-së.
Në këto gjashtë takime francezët kanë arritur triumfin në katër prej tyre. Ndeshja e fundit mes tyre ka qenë në vitin 2000. Sa i përket këtij grupi, opinionin e tij e ka shprehur edhe zëvendëskapiteni i kampionëve gjermanë, Tomas Myler, i cili ka thënë se:
“Kemi të bëjmë me skuadra me shumë potenciale. Megjithatë duhen veçuar ata të PSG-së, të cilët pas blerjes më të shtrenjtë të historisë përbëjnë një kërcënim mjaft të madh jo vetëm në grupin tonë, por në gjithë skuadrat pretendente për titullin e Ligës së Kampionëve.
Çka është më e rëndësishmja për ne është të dalim të parët në këtë grup për t’i hapur rrugën triumfit”.



