Anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, çështje diskutimi mes Kurtit dhe deputetëve britanikë

Anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, çështje diskutimi mes Kurtit dhe deputetëve britanikë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar me dy deputetët britanikë, Martin Vickers dhe Paul Foster, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO.

Takimin e bëri të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Temë tjetër e diskutimit ishte bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, samiti i radhës i së cilit do të mbahet pikërisht në Londër, si dhe rëndësia e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO, si një hap kyç për sigurinë afatgjatë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë.

Çështje të tjera diskutimi ishin marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi ekonomik e tregtar, si dhe ai në fushën e mbrojtjes.

“Nga ana e kryeministrit Kurti u veçua mikpritja dhe pjesëmarrja e Kosovës në ushtrimet ndërkombëtare ‘Defender Europe 2025’. Ai theksoi investimet dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit – duke shënuar rritje prej 123% të numrit të ushtarëve gjatë katër viteve të fundit, krahas investimeve në armatim – si dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit në industrinë ushtarake si një fushë e re dhe me potencial për partneritetin Kosovë–Mbretëri e Bashkuar”.

Kurti përmendi edhe sektorët strategjikë të ekonomisë, me fokus të veçantë në projektet e infrastrukturës hekurudhore dhe sektorin e teknologjisë, si fusha me potencial të lartë për investime dhe bashkëpunim.

“Deputetët britanikë vlerësuan progresin e Kosovës dhe shprehën përkushtimin e tyre dhe të Mbretërisë së Bashkuar për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike dhe zhvillimit demokratik”.

Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithëpartiake të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.

Shpërndaje në: