Mustafa i përgjigjet Veselit: Ju që po derdhni lot krokodili për LDK’në, veç vazhdoni
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur Kadri Veselit të PDK’së, duke shkruar se partia që ai drejton është parti e qendrës së djathtë dhe që vendimet i merr vetë.
Mustafa thotë se të gjithë ata që brengosën e derdhin lot krokodili për LDK-në, nga fakti se nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste, mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në.
‘’Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e Kosovës: shtetformuese, institucionaliste, e qendrës së djathtë. I merr vendimet vet.
Të gjithë atyre që brengosen dhe derdhin lot krokodili për LDK-së, nga fakti se LDK nuk po iu shërben dhe nuk do tu shërbejë interesave të tyre pushtetore dhe kolaboracioniste , u them se ata mund të vazhdojnë ta kritikojnë LDK-në, sepse ky është edhe një argument shtesë se nuk kemi asgjë të përbashkët me ta.
LDK është e Kosovës dhe ajo vendos vet si do ti shërbej në mënyrën më të mirë Kosovës. Karvani i LDK-së ec.’’, ka shkruar Mustafa.
Edhe sot, LDK përmes një komunikate ka reaguar ndaj deklaratave të kryeparlamentarit Veseli, i cili është deklaruar se kjo parti është majtiste.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli paska thënë se LDK bën pjesë në partitë e majta, vetëm e quan veten të djathtë. Vetëm pas pak minutash z. Veseli tenton edhe të përvetësojë reformat ekonomike, të bazuara në parimet e ekonomisë së tregut të lirë, të implementuara gjatë Qeverisë Mustafa në periudhën 2014-2017” thuhet në komunikatë./Periskopi/



