Arbër Zeneli: Nga Suedia te Kosova – portreti i fytyrës së re të Stade de Reimsit

Arbër Zeneli: Nga Suedia te Kosova – portreti i fytyrës së re të Stade de Reimsit

Është i lindur në Suedi, zgjodhi Kosovën në moshën 21-vjeçare, ka prindër shqiptarë, ka arritur te Stade de Reimsi këtë dimër, është tip që e shijon jetën por mbi të gjitha është një talent që i bën njerëzit të flasin – ky është portreti i Arbër Zenelit, me të cilin tashmë dalë ngadalë kanë filluar të njihen mbrojtjet e ekipeve të Ligue 1.

Është 20 nëntori i 2018-ës. Në këtë mbrëmje të paharrueshme për Arbër Zenelin, Zekë Zeneli, gjyshi i tij [nga ana e babait], ndërron jetë. Duke qenë në dijeni të marrëdhënies së veçantë që i bashkoi ata të dy, prindërit e Zenelit vendosën që ta mbajnë këtë lajm të fshehtë, shkruan France Football.

Arsyeja? Ndeshja historike e Kosovës me Azerbajxhanin, vetëm disa orë më vonë. Kosova në atë ndeshje do të luante për vendin e parë të grupit në Ligën e Kombeve, dhe me rezultat pozitiv do të kishte mundësinë që të luante në Final Four për një biletë për në Euro 2020. Dy pikë ishte dallimi mes dy kombëtareve, andaj Kosovës i duhej rezultati.

Zeneli ishte heroi i padiskutueshëm në këtë ndeshje, ku Kosova fitoi 4:0. Het-triku i tij, që ishte i pari në karrierë, bëri që Kosova ta fitonte ndeshjen dhe të përfundonte e pamposhtur në grup, me sulmin më të mirë në ligën e Kombeve (15 gola).


Arbër Zeneli duke festuar pas het-trikut ndaj Azerbajxhanit

Kjo ishte mundësia e Zenelit për të forcuar statusin e tij si një ikonë e re në Kosovë. Ky shtet i ri me më pak se dy milionë banorë, dikur provincë e Serbisë, shpalli pavarësinë në vitin 2008, transmeton insporti. Politikisht aspak stabile dhe pre e konflikteve të vazhdueshme, Kosovës Federata e Futbollit iu pranua në UEFA e FIFA në maj të vitit 2016.

Deri atëherë Kosova kishte zhvilluar vetëm ndeshje miqësore, derisa pas njohjes mund të futej në kualifikime për gara të ndryshme. Kështu duhej të bindeshin lojtarë për t’iu bashkuar ekipit të përfaqësueses. Deri atëherë, futbollistët kosovarë kishin zgjedhur ekipe si Shqipëria, Zvicra e madje edhe Belgjika [siç është rasti i Adnan Januzajt]. Por edhe Suedia. Është pikërisht vendi i Zlatan Ibrahimovicit ku duhet të rikthehemi për fillimin e rrugëtimit të Arbër Zenelit.

Lufta bën që familja e Zenelit të shpërngulet

Është shkurti i 1995-ës. Arbër Zeneli lind në Säter (4.600 banorë), 200 kilometra larg Stokholmit. Fëmiu i parë i familjes. Dhe kjo, katër ditë pasi babai i tij nga Mitrovica dhe nëna e tij nga Prizreni, mbërritën në Suedi pasi kishin jetuar në Selac, në veri të Kosovës.

“Prindërit e mi emigruan në vitin 1991 gjatë luftërave në Jugosllavi”, thotë Zeneli për France Football.

“Sot, nëna ime është e punësuar në një rrjet të supermarketeve, derisa babai punon për një kompani energjetike, ai lexon shpenzimet e energjisë elektrike dhe merr të dhënat”, shton ai.

Arbëri thotë se futbolli i është prezantuar atij që në moshë të re. “Ishte herët. Gjithmonë e kam dashur futbollin, dhe shpejt e pata një top në këmbë”.

Klubi i tij i parë ishte Halsingarden, në afërsi të Norslund, ku jeton edhe familja. Në moshën 11-vjeçare, ai kaloi në Elfsborg, klub në afërsi të Gothenburgut, në jug të Suedisë. Këtu po fillonte storja e tij me futbollin profesionist. Në kohën kur idoli i tij i parë ishte Kaka, ylli brazilian.

“Isha fans i Milanit dhe loja e tij ishte e bukur për ta parë”, thotë Zeneli. Ai arriti në radarët e ekipeve të reja të Suedisë dhe bëri paraqitjen e tij të parë me ekipin U17 të Elfsborgut.

Kontratën e parë profesionale, e nënshkroi në dhjetor të vitit 2013. Aventura mund të fillojë. “Edhe pse ai ishte i ri kur arriti në ekipin e parë [Zeneli e luajti ndeshjen e tij të parë kampionale më 31 mars 2014, si 19-vjeçar], ai shpejt u adaptua dhe shpejt pati sukses, rikujton Sebastian Holmen, bashkëlojtar i tij te Elfsborgu, sot te Dynam Moscow. Në ditët e hershme, çdokush e dinte se ai do të bëhej një lojtar shumë i mirë. Çfarë mua më bënte të reagoj më së shumti, ishte shpejtësia e tij me topin, shpejtësia e tij. Si mbrojtës, gjithmonë shpresoja mos të luaja kundër tij në stërvitje”.

“Ju mund të shihnit kualitetin e tij, shpejtësinë e tij, por edhe aftësinë e tij për të sprintuar, ai vraponte vazhdimisht”, vazhdon Adam Lundqvist, ish-bashkëlojtari i Zenelit në Elfsborg. “Ai ishte i fortë një kundër një. Një nga më të mirët me të cilët jam përballur”, rikujton mbrojtësi që tani luan te Houston Dynamo në MLS. “Kurrë nuk doja që ta lejoja të më kalonte, edhe nëse do të më duhej ta fauloja. Nëse ai kalonte, unë e godisja atë”.

Rreth dy muaj më vonë, Zeneli e fitoi trofeun e tij të parë, Kupën e Suedisë [fitore 1:0 ndaj Helsinbgorg]. Në sezonin pasues, ai arriti të bëjë 27 paraqitje dhe tetë gola në Divizionin e parë suedez.

“Më kujtohet një gol ndaj Norrkoping, ai vrapoi i vetëm dhe i kaloi të gjithë kundërshtarët një nga një. Të gjithë ishin të shokuar, mendoj se ishte edhe ai vetë”.

Këto paraqitje të tij nuk kaluan pa u vërejtur. Në afatin kalimtar të dimrit, në 2016-tën, Zeneli kaloi te Heerenveeni për 2 milionë euro.

Si 21-vjeçar, Zeneli realizoi super gol me klubin holandez në ndeshjen e dytë. Duke e veshur fanellën me numrin 13, Zeneli mori një top në krahun e djathtë në ndeshjen kundër Cambuur dhe depërtoi në mënyrën e tij, para se ta dërgonte topin në këndin e rrjetës.

“Pata një vit shumë të mirë me të”, rikujton Stefano Marzo, mbrojtësi i Lokeren në Belgjikë, që luante prapa Zenelit te Heerenveeni. Ishte kënaqësi të luaje me Arbërin. I jepja topin dhe nuk mund ta shihja më. Nuk kisha asnjë problem. Ishte e lehtë. Ai gjithmonë po shkonte përpara”.

“Kosova është gjaku im, origjina ime”

Në vitin 2016, karriera e Arbër Zenelit do të ketë një kthesë të re. Në gusht, ai bëri të ditur se do të largohej nga kombëtarja e Suedisë për t’iu bashkuar Kosovës. Kjo ishte një goditje në kokë për skandinavët. Zeneli madje konsiderohet edhe tradhëtar. Në rrjetet sociale, lojtari e mbronte veten e tij, rreth këtij vendimi.

“Kosova është gjaku im, origjina ime”, vazhdon Zeneli për France Football. “Sot, jam shumë krenar që vesh fanellën e ekipit të Kosovës”.

“E vlerësoj këtë lloj lojtari, sepse ai me të vërtetë e zgjodhi Kosovën në një kohë kur shteti edhe kombëtarja ishin në pikëpyetje të mëdha”, thotë Bernard Challandes, selektor i Përfaqësueses së Kosovës.

“Ai zgjodhi Kosovën, dhe mund të thoni se është një kosovar i vërtetë”.

Adam Lundqvist, bashkëlojtari i Zenelit te grupmoshat e reja te Suedia, e di se ai i ishte i sigurt për zgjedhjen. “Mendoja se sapo e kishim humbur një lojtar të mrekullueshëm. Në fillim, isha i mërzitur. Por unë e njoh atë dhe familjen e tij dhe e kam kuptuar se për të është një nder i madh të jetë në gjendje të luajë për shtetin e prindërve të tij. Ai duhet të ketë marrë shumë kritika, por edhe shumë dashuri”.


Arbër Zeneli, me numrin 10, në paraqitjen e tij të parë me Kosovën

Tashmë në historinë e Kosovës

Pasi e bëri debutimin me Kosovën ndaj Kroacisë, në maj të vitit 2018, në Zurich, Zeneli shënoi dy gola, në fitoren 3:0 të Kosovës në miqësoren me Shqipërinë. Shtatorin e vitit të kaluar, Kosova luajti për herë të parë një ndeshje zyrtare në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, i emëruar pas legjendës dhe ikonës së futbollit në Kosovë.

Në ndeshjen kundër Ishujve Faroe, që ishte e para në këtë stadium, Zeneli e shënoi golin e parë të Kosovës. Goli i tij çoi në këmbë 13 mijë spektatorë. Ata shumë shpejt filluan ta duan ‘xhevahirin’ e tyre.

“Ai luan për ekipin, njerëzit e duan shumë dhe ai është krenar për këtë”, thotë Bernard Challandes.

“Ai u pa si hero në Prishtinë kundër Azerbajxhanit. Ka kaq shumë entuziazëm në Kosovë për lojtarët. Ai është një nga këta futbollist të talentuar, por ai është në gjendje edhe të vrapojë e të punojë shumë. Duke parë statistikat nga e gjithë Evropa në bazë të shpejtësisë dhe kritereve tjera, ai nuk ishte i shpejtë sa Kylian Mbappe, por pati numra të jashtëzakonshëm, në nivelet më të larta”, shton Challandes.

“Porsa e preku topin, menjëherë u kuptua se ishte lojtar i veçantë”

Duke iu afruar afatit kalitmar të dimrit të 2019-ës, dega e rekrutimeve në Stade de Reims, që kishte identifikuar Zenelin si synim për disa javë, i prezantoi një video trajnerit, David Guion. Efekti ishte i menjëhershëm. Trajneri po ashtu shikoi ndeshjet ndaj Ajaxit dhe PSV Eindhovenit. Drita e gjelbërt u dha nga të gjithë komponentët e klubit.

Reimsi shpejt u hodh në aksion, për lojtarin që do t’i skadonte kontrata në 18 muaj. Skuadra franceze e fitoi një garë me ekipe të tjera të mëdha, që kishin vëzhguar Zenelin [si Ajax, Chelsea e Napoli].

Futbollisti 24-vjeçar, që në Kosovë u zgjodh lojtari më i mirë i vitit, u transferua te Reimsi për 4 milionë euro. Një transferim ky që i befasoi shumë, pasi kishin pritur për një kalim te ndonjë skuadër më e madhe.

Më 24 shkurt kundër Montpellierit, Zeneli bëri paraqitjen e parë si titullar dhe shënoi gol nga penalltia. “Menjëherë pasi preku topin, ishte e qartë se ai ishte një futbollist i veçantë, se çfarë do të na sillte dhe se do të bëhet i rëndësishëm”, zbulon bashkëlojtari i tij, Tristan Dingome.


Zeneli në debutimin te Reimsi

Nëse talenti dhe shenjat premtuese janë aty, trajneri David Guion tashmë ka të qarta se në çfarë duhet të punojë ylli i Kosovës.

“Ai duhet të kuptojë të gjitha aspektet taktike. Ka ende shumë punë taktike për t’u bërë”, potencon ai.

Bashkëlojtari i tij te Kosova, Mërgim Vojvoda, zbulon disa gjëra interesante për Zenelin.

“Ai e do gjuhën franceze. Kam tentuar t’i mësoj disa fjalë, por nuk janë gjithmonë më të mirat [qesh]. Ai e do muzikën franceze”.

“Ai ka një finish të pabesueshëm, atij nuk i duhen tri tentime për të shënuar”, shton Vojvoda duke folur për cilësitë e Zenelit.

Kurse sipas Adam Lundqvist, Zeneli shpejt mund të prekë majat e Evropës.

“Jam i sigurt se mund të arrijë në një nga klubet më të mëdha të Evropës. Nuk mendoj se ky do të jetë stopi i tij i fundit”, thotë Lundqvist, ish-bashkëlojtari i tij.

“Nëse vazhdon me këtë progresim, do të arrijë shumë lartë. Ai me të vërtetë është një djalosh shumë i fortë dhe profesionist, ka gjithçka para vetes dhe nuk do të ndalet kurrë. Ai nuk do të kënaqet me atë që ka. Ai gjithmonë do të dojë shumë më shumë”.

Shpërndaje në: