Ariana Grande sulmohet në premierën e filmit në Singapor, ndërhyn sigurimi – fansat e identifikojnë burrin që e zvarriti
Këngëtarja dhe aktorja amerikane, Ariana Grande, ka përjetuar një moment tronditës në premierën e filmit të saj të ri “Wicked: For Good” në Singapor, kur një burrë iu afrua me vrap dhe e zvarriti në tapetin e verdhë.
Në videot e publikuara në rrjete sociale, Grande shihet duke ecur me kolegët e saj kur burri me bluzë të bardhë dhe flokë të gjatë të zinj me nuanca bionde e kap dhe e tërheq drejt vetes. Kolegja e saj, Cynthia Erivo, ndërhyri menjëherë duke u vendosur mes tyre, ndërsa rojet e sigurisë e larguan të dyshuarin.
Ariana u shfaq e tronditur pas incidentit dhe u mbështet nga ekipi i saj. Fansat e identifikuan burrin si Johnson Wen, i cili më pas publikoi videon e momentit në Instagram duke shkruar: “E dashur Ariana Grande, faleminderit që më lejove të kërcej në tapetin e verdhë me ty”.
Wen është i njohur për ndërhyrjet e tij në evente të yjeve; në qershor u ngjit në skenën e Katy Perry-t, ndërsa në gusht hyri me forcë në koncertin e The Weeknd para se sigurimi ta largonte.



