Armand Duka: Kosova ka futbollistë cilësorë, e meriton të jetë në Kampionatin Botëror

Armand Duka: Kosova ka futbollistë cilësorë, e meriton të jetë në Kampionatin Botëror

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka vlerësuar Kombëtaren e Kosovës për paraqitjet e saj të fundit në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, duke theksuar se Dardanët e meritojnë një vend në turneun më të madh të futbollit botëror.

Kosova ka qenë në formë të shkëlqyer së fundmi, duke marrë 7 pikë në tri ndeshjet e fundit: fitore kundër Suedisë në Prishtinë, barazim ndaj Sllovenisë dhe një tjetër sukses ndaj skandinavëve në ndeshjen e kthimit.

Këto rezultate kanë ringjallur shpresat për kualifikim, ndërsa entuziazmi është i ndjeshëm si te tifozët, ashtu edhe në opinionin sportiv.

Në një prononcim për Euronews Albania, Duka u shpreh se Kosova ka një grup të fortë lojtarësh dhe fitorët e fundit nuk janë aspak surprizë për të:

“Kosova ka përbërje shumë të mirë. Ka futbollistë me shumë kualitet dhe nuk është fare surprizë që i fiton këto dy ndeshje,” deklaroi ai.

Më tej, kreu i FSHF-së theksoi se Kosova e ka merituar plotësisht suksesin në fushë dhe e sheh pjesëmarrjen e saj në Kupën e Botës si të natyrshme:

“E thashë edhe në fillim, nuk është se ka shumë diferenca. E meritoj, e super-meritoj fitoren në ndeshjen e parë në Prishtinë, e meritoj edhe mbrëmë dhe meriton të jetë pjesë e Kampionatit Botëror”.

Në fund, Duka komentoi edhe mbi mundësinë që si Shqipëria, ashtu edhe Kosova të arrijnë të shkojnë në play-off, duke e cilësuar një skenar të jashtëzakonshëm.

“Dy kombëtaret në play-off? Fantastike. Nëse do të arrijmë që të mbështesim dy, por edhe nëse do të kemi një, prapë do të jemi të gëzuar,” përfundoi ai./Periskopi

Shpërndaje në: