Arrestohet banda nga Kosova, kanë kryer 161 vjedhje në Zvicër

Arrestohet banda nga Kosova, kanë kryer 161 vjedhje në Zvicër

161 vjedhje në 11 kantone janë kryer në Zvicër dhe lidhur me këtë janë arrestuar gjashtë burra nga Kosova.

Në fillim të shtatorit 2025, në komunën Hochdorf u regjistruan disa vjedhje me thyerje në objekte afariste. Policia e Lucernit arriti të arrestojë personat e dyshuar.

Në automjetin e tyre, forcat e rendit gjetën mallra të dyshuara të vjedhura si dhe mjete të përdorura për thyerje, raporton Blick.ch.

Më pas, Prokuroria për Krime të Veçanta, në bashkëpunim me Policinë e Lucernit, zhvilloi hetime të gjera. Nga hetimet rezultoi se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që vepronte në nivel kombëtar. Të dyshuarit janë shtetas të Kosovës, të moshës nga 26 deri në 57 vjeç, transmeton Paparaci.

Dëmi total vlerësohet në rreth 705 mijë franga

Gjashtë personat e dyshuar akuzohen se kanë kryer gjithsej 161 vjedhje me thyerje në të paktën njëmbëdhjetë kantone të Zvicrës.

Objektivat kryesore të vjedhjeve kanë qenë bizneset dhe ndërmarrjet afariste, ku autorët synonin kryesisht paratë e gatshme.

Shuma e përfituar nga veprat penale vlerësohet në rreth 590 mijë franga, ndërsa dëmi i përgjithshëm material arrin rreth 705 mijë franga.

Hetimet ndaj autorëve të dyshuar janë ende në zhvillim pranë Prokurorisë për Krime të Veçanta.

Shpërndaje në: