Arrestohet kameramani që u pengua nga mbrojtja e afërt e Osmanit ta kryej punën e tij
Kameramani i portalit Paparaci, Jetmir Muji, është arrestuar sot në Prishtinë, pasi ishte duke xhiruar për një storie rreth shkollimit të vajzave të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ngjarja ka nxitur reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilët përmes një postimi në Facebook kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Mujit, duke e quajtur arrestimin arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
“AGK-ja është e alarmuar dhe thellësisht e shqetësuar me këtë arrestim dhe ndalim arbitrar dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës, që ta lirojë menjëherë Mujin”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas tyre, ndalimi i kameramanit përbën shkelje të lirive mediatike dhe abuzim me autoritetin policor.“AGK-ja e konsideron arrestimin të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës.
Ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim”, thuhet tutje në reagim.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur ndonjë koment nga Policia e Kosovës apo nga zyra e Presidentes Osmani lidhur me rastin.



