Arrestohet një 33-vjeçar nga Prizreni për tentativë trafikimi droge në Morinë
Në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është goditur një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve të detajuara dhe analizës së riskut, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë një shtetas kosovar.
I arrestuari është H. M., 33 vjeç, banues në Prizren, i cili u kap gjatë kontrollit në vijë të dytë, teksa tentonte të hynte në territorin shqiptar.
Gjatë kontrollit fizik, autoritetet i gjetën dhe sekuestruan 101 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa, si dhe automjetin që ai drejtonte.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.



