Arsyet për të ndjekur ndeshjen Partizani – Skënderbeu
Ndeshja mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut të Korçës është e karakterit garues [Europa League] dhe zhvillohet sonte prej orës 19:00. Ndeshja e parë e luajtur në Korçë kishte përfunduar 1 me 1, në një organizim mjaft të mirë që nuk u shoqërua me asnjë incident. Të dyja ekipet e morën nga një pikë, dhe kanë gjasa reale në rast të fitores për të kaluar grupin.
Kjo ndeshje ka një rëndësi tepër të madhe për të ardhmen e të dyja ekipeve, e prandaj edhe për të ardhmen e futbollit sërb dhe shqiptar. Partizani është ekipi i dytë më i fortë në Sërbi, dhe për shkak të financave të rënduara, ka mbetur goxha prapa Crvena Zvezdës. Një kualifikim eventual në fazën tjetër do t’i siguronte një shumë të majme parash, dhe një mundësi më të shumta për transferime në vitet që vijnë. Skënderbeu ndërkohë është ekipi bindshëm më i fortë shqiptar, pavarësisht që vitin e kaluar e humbi titullin e kampionit nga Kukësi, dhe kualifikimi historik do ta bënte poashtu edhe më të fuqishëm për nga ana financiare.
Vendi i dytë në grup mbahet nga ekipi zvicrran Young Boys, i cili ka vetëm një pikë më shumë se Partizani dhe se Skënderbeu. Humbja eventuale e këtij ekipi sonte nga Dinamo e Kjevit, do t’i bënte ekipet serboshqiptare që luajnë sot kundër njëra-tjetrës, favorite për të dalë në fazën tjetër.
Sa i përket lojës, nuk pritet të ketë futboll të bukur. Ndeshja e parë ishte mjaft monotone dhe lufta bëhej kryesisht në mes të fushës, me të dyja ekipet që humbnin topa pa kursim. Por kësaj here pritet një futboll më i bukur, sepse Skënderbeu paraqitet më mirë si mysafir, ndërkohë që Partizani do të ketë mbështetjen e tifozëve të flaktë të ekipit të tij, të cilët së fundi kanë nisur të nuhasin kualifikimin e mundshëm.
Arsyeja e dytë është sfondi historik. Në ndeshjen e zhvilluar tridhjet vjet më parë, Flamurtari i Vlorës kishte arritur të eleminonte nga garat e Evropës ekipin e Partizanit të Beogradit për të cilin kishte luajtur edhe futbollisti kosovar nga Podujeva, Fadil Vokrri [i cili madje edhe kishte shënuar një gol]. Në përballjet mes dy vendeve ballkanase në nivelin ekipor, më e suksesshme [të paktën deri sonte] është Shqipëria, pavarësisht nivelit larg më të dobët të ligës. Nëse të paktën do të nxirrte një barazim, kjo përparësi do të vazhdonte.



