Arteta beson te titulli: Këtë herë jemi gati ta kthejmë avantazhin në sukses
Mikel Arteta ka rritur bindjen se Arsenali mund të shkojë deri në fund në garën për titullin e Premier League këtë sezon.
Trajneri spanjoll theksoi se fakti që skuadra e tij kryeson tabelën në Krishtlindje i jep besim dhe siguri se “Topçinjtë” janë më të pjekur për ta shndërruar këtë epërsi në sukses final.
Arsenali u rikthye në vendin e parë pas fitores minimale 1-0 ndaj Evertonit, falë penalltisë së shënuar nga Viktor Gyökeres. Një triumf që, sipas Artetës, konfirmon vazhdimësinë dhe nivelin e lartë të paraqitjeve të skuadrës së tij në një kampionat tepër konkurrues.
“Është shumë e vështirë të jesh vazhdimisht në krye në këtë ligë. Kjo tregon se ekipi është aty, i qëndrueshëm dhe i fortë mendërisht,” u shpreh Arteta, duke nënvizuar se Arsenali ka përballuar tashmë momente të vështira dhe është gati për sfidat që e presin.
Trajneri i londinezëve vlerësoi edhe mentalitetin e lojtarëve, veçanërisht përgjegjësinë e marrë në fushë, duke e cilësuar këtë si një shenjë tjetër se Arsenali ka hedhur hapa përpara në rrugën drejt titullit.



