Atentati në Lungomare, ja çfarë gjeti policia në vendin e ngjarjes. Autori iku në këmbë (Foto)
Zbardhen detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku mbeti i vrarë Renato Omeri. Burime zyrtare nga policia thanë se viktima kishte ndërruar identitet më parë, pasi ishte me precedentë të shumtë kriminalë.
Gjithashtu është bërë e ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë, pistoletë që besohet se ishte e viktimës.
Ja çfarë thotë policia:
Më datë 30.07.2017 rreth orës 21:15, jemi njoftuar së në një lokal në Lungomare ka patur të shtëna me armë zjarri ku dyshohet se ka një person të vrarë. Menjëherë në drejtim të vendit ku u dha njoftimi kanë shkuar forca të shumta policie ku ka rezultuar se:
Shtetasi M. Xh. (O)., 37 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, për pasojë ka ndërruar jetë.
Viktima ka qenë në lokal i ulur me një tjetër, ku në drejtim të tij është afruar një person i cili e ka qëlluar me armë zjarri.
Autori është larguar më këmbë mes pallateve. Policia ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli ku në ndihmë të Policisë së Vlorës për kapjen e autorit kanë ardhur Delta Forcë e FNSH.
Vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor në vendngjarje po vijon punën për grumbullimin e provave, dëshmive me qëllim dokumentimin dhe identifikimin e autorit.
Në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja ndërsa disa metra më tutje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë që dyshohet se e dispononte viktima M. Xh., (O).
Theksojmë se viktima ka ndërruar emër e mbiemër dhe rezulton me precedent kriminal.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.







