AUV tërheq nga tregu disa produkte APTAMIL për foshnje
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për tërheqjen urgjente nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës APTAMIL, pas konfirmimit të pranisë së toksinës Cereulide, e cila paraqet rrezik serioz për shëndetin.
Sipas AUV-së, njoftimet janë pranuar përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) dhe lidhen me produkte të prodhuara në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
Periskopi pati raportuar për rastin para një muaji, çka solli edhe reagimin e instiucioneve në vend.
Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimin me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimin nr. 2026.1018, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në produktet e prodhuara në Holandë si dhe njoftimi nr 2026.1017, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulat për foshnje dhe në formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë.
Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., Vushtrri, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen ekëtyre produkteve nga tregu.
AUV u bën thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.
Pas raportimit të Periskopit, AUV e heq nga tregu qumështin për foshnje “Aptamil”



