Avioni rrëzohet në mes të rrugës, pamje tronditëse nga ulja emergjente (VIDEO)

Avioni rrëzohet në mes të rrugës, pamje tronditëse nga ulja emergjente (VIDEO)

Një video tronditëse ka kapur momentin kur një avion i vogël ra nga qielli dhe u përplas në një rrugë të ngarkuar në shtetin e Georgia-s, SHBA.

Avioni me një motor u detyrua të kryente një ulje emergjente në kryqëzimin e ngarkuar të Browns Bridge Road me Pearl Nix Parkway, të hënën. Pamjet tregojnë se si mjeti ajror bie me shpejtësi, përplaset në asfalt dhe më pas rrëshqet drejt automjeteve që ndodheshin në qarkullim.

Sipas medias lokale WSB, avioni goditi tre automjete, ndërsa një nga krahët iu shkëput dhe gomat u shkatërruan gjatë përplasjes. Dy drejtues automjetesh dhe një prej pasagjerëve të avionit u dërguan në spital me lëndime të lehta. Në bord ndodheshin piloti dhe një student pilot. Policia e Gainesville konfirmoi se studenti pësoi dëmtime të lehta. Avioni, një Hawker Beechcraft BE-36 i vitit 2010, kishte probleme me motorin menjëherë pas ngritjes nga aeroporti Lee Gilmer Memorial.

“E humbëm motorin sapo u ngritëm nga Gainesville. U përpoqëm të ktheheshim duke ndjekur çdo procedurë sipas rregullores, por e kuptuam se nuk do t’ia dilnim. Kështu vendosëm të uleshim në rrugë,” tha piloti Thomas Rogers për FOX 5. Gjatë uljes emergjente, rezervuari i karburantit u shkëput dhe goditi pjesën e pasme të një SUV-i. Fatmirësisht, avioni nuk preku linja elektrike apo shtylla energjie.

“Fakti që avioni nuk goditi asnjë shtyllë apo linjë energjie dhe përfshiu vetëm tre automjete është vërtet i jashtëzakonshëm,” deklaroi kapiteni i policisë së Gainesville, Kevin Holbrook. Regjistrimet e komunikimeve me kullën e kontrollit ajror, të siguruara nga WSB, tregojnë momentin dramatik kur piloti dërgon sinjalin “Mayday”. “Nuk do t’ia dalim. Ju lutem, thoni gruas sime Molly se e dua, dhe prindërve të mi gjithashtu,” dëgjohet të thotë ai.

Dëshmitarë okularë përshkruan skenën si të pabesueshme. “I thashë burrit tim: ‘Është avion! Është avion!’ Ishte shumë e frikshme,” tha një prej tyre. Rruga ku ndodhi incidenti konsiderohet një nga më të ngarkuarat në qytet, me qindra mijëra automjete që kalojnë çdo ditë. Autoritetet e mbyllën zonën për disa orë për të larguar avionin dhe për të pastruar vendin e ngjarjes. Më vonë, Policia e Gainesville njoftoi se qarkullimi ishte rikthyer në normalitet.

Shpërndaje në: