Avokati i Veselit: Dixon përmbyll fjalën e tij, akuza Prokurorisë për dembeli e thashetheme
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka përmbyllur fjalën e tij në Gjykatën e Hagës.
Dixon ka pasur kritika për disa prej dëshmitarëve të intervistuar nga Prokuroria, duke thënë se deklarimet e të njëjtëve kanë qenë gënjeshtra dhe thashetheme.
Ai ka thënë për njërin prej tyre se s’kishte pranuar që të vinte në Gjykatë për t’u përballur me pyetjet, meqë e ka ditur se do t’i shpërfaqeshin gënjeshtrat e thëna.
Përveç kësaj, për njërin prej dëshmitarëve të Prokurorisë, Dixon ka treguar se i njëjti ka thënë se ka dëgjuar nga një person tjetër se e kishte përmendur Kadri Veselin për një rast specifik, por pa ofruar as edhe një provë të vetme.
Tutje avokati i Veselit ka akuzuar Prokurorinë e Hagës për dembeli dhe përbuzje të themeleve të Gjykatës Speciale.
“ZPS s’ka treguar asnjë udhërrëfyes, ua ka lënë juve të nderuar gjykatës. Sipas nesh, ky është dembellëk dhe tregon përbuzje të themeleve të kësaj gjykate e cila nuk është krijuar për të dënuar për hir të dënimit”, ka thënë Dixon.
Ai në fund ka thënë se trupi gjykues duhet të përbashkohet për pafajësinë e Kadri Veselit meqë s’ka asnjë provë të ofruar nga Prokuroria.



