Avokatja e Jakup Krasniqit: Kjo prokurori kryesisht mbështetet në spekulime dhe pretendime të pabaza

Avokatja e Jakup Krasniqit: Kjo prokurori kryesisht mbështetet në spekulime dhe pretendime të pabaza

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur paraqitjen e deklaratës përmbyllëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ajo tha se klienti po privohet padrejtësisht nga liria tashmë pesë vjet.

“Ekziston vetëm një opsion, që ju të merrni vendim për pafajësi dhe që të kthehet në familjen e tij. Në të gjithë këta 34 muaj gjykim, nuk ka asnjë dëshmitar që tregon se ai e ka rrahur, torturuar apo keqtrajtuar ndonjë person. Kjo prokurori kryesisht mbështetet në spekulime dhe pretendime të pabaza”, tha ajo.

Më tej, ajo tha se prokuroria i ka anashkaluar provat shfajësuese. Po ashtu, theksoi se ZPS-ja nuk ka thirrur një numër vendimtar të dëshmitarëve, të cilët do të kishin dhënë informacione për hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në hyrje të parashtrimeve përfundimtare, mbrojtja e Krasniqit tha se prokuroria ka dështuar edhe të argumentonte lidhjen mes klientit të saj dhe krimeve të pretenduara.

“Kjo akuzë nuk do të duhej të ishte ngritur fare. Prokuroria do të duhej të tërhiqte aktakuzën në fazë më të hershme por këtë nuk e bëri”, shtoi ajo.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit do të vonojë me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse gjatë tërë ditës.

Shpërndaje në: