Azemi: Rizvanolli po i mashtron qytetarët, Qeveria Kurti e ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviqit me një emër tjetër
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vizar Azemi, ka akuzuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për gënjeshtra lidhur me licencimin e kompanisë EFT për import të energjisë elektrike.
Përmes një reagimi publik, Azemi ka thënë se ministrja Rizvanolli nuk po thotë të vërtetën kur pretendon se Qeveria Kurti nuk e ka licencuar kompaninë EFT, e cila lidhet me biznesmenin serb Vuk Hamoviq.
Sipas Azemit, EFT është licencuar nga institucionet e Kosovës, por kompania, siç shprehet ai, është “fshehur” pas emrit “Energy Financing Team”, duke tentuar të shmangë vëmendjen publike.
Ai thekson se ekziston një vendim zyrtar i nënshkruar më 2 shtator 2021, i cili dëshmon se licenca për import të rrymës i është dhënë kësaj kompanie, duke shtuar se ndryshimi i emrit nuk e anulon vendimin dhe as nuk e zhduk licencën.
“Ndryshimi i emrit në search nuk e anulon vendimin dhe nuk e zhduk licencën. Ose ministrja nuk e di çfarë firmos, ose po i gënjen me vetëdije qytetarët”, ka deklaruar Azemi.
Në fund, kandidati i LDK-së ka bërë të ditur se ka paraqitur edhe kopjen e licencës, e cila, sipas tij, dëshmon se Qeveria Kurti ia ka dhënë licencën kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin serb.



