Bad Bunny sfidoi rrezikun në Super Bowl – refuzoi të mbante rrip sigurie gjatë performancës

Bad Bunny sfidoi rrezikun në Super Bowl – refuzoi të mbante rrip sigurie gjatë performancës

Bad Bunny dha një nga performancat më spektakolare dhe më të komentuarat në historinë e Super Bowl 2026, duke hyrë njëkohësisht si artisti i parë që realizoi të gjithë shfaqjen në gjuhën spanjolle në Apple Music Super Bowl Halftime Show.

Sipas regjisorit të programit, Hamish Hamilton, ky ishte një nga projektet më sfiduese dhe me angazhimin më të madh ekipor në të cilin ai ka marrë pjesë ndonjëherë.

Ai zbuloi se Bad Bunny ishte i vendosur t’i realizonte akrobacitë sipas kushteve të tij, duke refuzuar madje edhe përdorimin e rripit të sigurisë.

 Foto: Reuters

Gjatë performancës, artisti porto-rikan u ngjit në një shtyllë të lartë pa asnjë mbrojtje anësore.

Edhe pse pajisjet e sigurisë ishin plotësisht të disponueshme, ai deklaroi se nuk kishte nevojë për rrip sigurie, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Hamilton pranoi se kjo solli pasoja të mundshme ligjore dhe shqetësime për ekipin e produksionit, por njëkohësisht krijoi mundësi për realizimin e pamjeve unike filmike, pasi kamera mund të vendosej drejtpërdrejt në shtyllë për ta ndjekur ngjitjen e tij nga afër.

Drejtoresha kreative, Harriet Cuddeford, theksoi se Bad Bunny i realizoi vetë të gjitha akrobacitë dhe i mësoi ato shumë shpejt.

Sipas saj, gjatë provave ekipi ishte i shqetësuar nëse gjithçka do të shkonte mirë, por ai u ngjit me vetëbesim, arriti majën dhe vazhdoi të këndonte live pa asnjë problem.

Ajo e përshkroi atë si shumë të shkathët dhe fizikisht të përgatitur për çdo sfidë skenike.


Një tjetër moment mbresëlënës ishte skena kur ai “ra” përmes çatisë së strukturës së quajtur “La Casita”.

Megjithatë, sipas ekipit kreativ, ky moment ishte i kontrolluar teknikisht: në dysheme kishte një hapje të posaçme që lejonte realizimin e efektit vizual pa rrezik real.

Performanca përfshiu gjithashtu paraqitje të shumta nga figura të njohura si Pedro Pascal, Cardi B, Jessica Alba, Karol G dhe Young Miko.

Kulmi i surprizave erdhi me paraqitjen e Lady Gagas, e cila interpretoi një version salsa të këngës “Die With a Smile”, ndërsa Ricky Martin këndoi këngën e Bad Bunnyt “Lo Que Le Paso a Hawaii”./Periskopi/

Shpërndaje në: