Bali Muharremaj synon modernizimin e Suharekës, nënshkruan memorandum me Odën e Arkitektëve
Kryetari i Komunës së Suharekës dhe kandidati për një mandat të ri në zgjedhjet e tetorit, ka njoftuar sot për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), përfaqësuar nga kryetari Uran Kyçyku.
Ky memorandum synon të krijojë bazën për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e planifikimit hapësinor, arkitekturës dhe urbanizmit të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar ekspertizën profesionale të OARK-së dhe përkushtimin e Komunës së Suharekës.
Në fokus të marrëveshjes janë: hartimi i planeve strategjike komunale, organizimi i konkurseve profesionale për projektim, përcaktimi i kritereve për projektet publike, rritja e transparencës dhe cilësisë në fushën e urbanizmit, si dhe zhvillimi i projekteve që përmirësojnë infrastrukturën dhe jetën e qytetarëve.
“Si gjithmonë, Komuna e Suharekës po avancon me shërbime profesionale, për cilësi dhe zhvillim të projekteve në të ardhmen”, ka theksuar kryetari në postimin e tij në rrjetet sociale.
Ky hap shihet edhe si pjesë e angazhimit të tij për të thelluar modernizimin e komunës, në prag të garës për një mandat të ri në krye të Suharekës.



