Barça ankohet në FIFA pasi Raphinha u lëndua me Brazilin
Aspak diçka për t’u kaluar lehtë. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta e ka sulmuar drejtpërdrejt FIFA-n për lëndimin (tërheqje muskulore në bicepsin femoral të këmbës së djathtë) që e pësoi Raphinha gjatë ndeshjes miqësore të zhvilluar kundër Francës me fanellën e Brazilit.
Një problem që do t’i kushtojë trajnerit Hansi Flick dhe blaugranave një nga lojtarët kyç të repartit ofanziv në momentin më delikat të sezonit, shkruan “Gazeta Express, transmeton Periskopi.
“Të dëmtohet një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në një miqësore mes Francës dhe Brazilit në Shtetet e Bashkuara të zemëron shumë”, deklaroi numri një i klubit katalanas.
“Nuk mund t’i hidhet përgjegjësia lojtarit që nuk luan, sepse ai është një profesionist që jep gjithçka për vendin e tij dhe kjo është normale. Por FIFA duhet të krijojë një kalendar ndërkombëtar që merr parasysh kompeticionet në të cilat marrin pjesë klubet më të rëndësishme”, shtoi ai në një intervistë për “Món Esport”.
“Në këtë moment të sezonit po e luajmë jetën”, theksoi Laporta, duke iu referuar faktit që Barcelona në rifillimin e La Ligas ndodhet në krye të renditjes me +4 pikë ndaj Real Madridit, në një garë shumë të ngushtë për titullin.



