Basha e shkel rregulloren me dy këmbë: “Çështja mund të shkoj në Gjykatën Kushtetuese”

Basha e shkel rregulloren me dy këmbë: “Çështja mund të shkoj në Gjykatën Kushtetuese”

“Unë besoj që me katër anëtarë, me mua pesë kemi korumin e mjaftueshëm për të pas një kuvend funksional”. Kështu deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili vlerësoi se Kuvendi mund të knsiderohet i konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Por, me këtë veprim, Basha e shkel me dy këmbët aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe rregulloren e Kuvendit, shkruan Periskopi.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi në një prononcim për Periskopin tha se nuk ka Kuvend të konstituar pas pasur pesë nënkryetar, përfshi edhe ata të komuniteteve.

“Në bazë të Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive e Kuvendit përfundon vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të gjithë nënkryetarët e Kuvendit. Po ashtu, Rregullorja e Kuvendit përcakton qartë se Kryesia përbëhet nga Kryetari dhe pesë nënkryetarë, duke përfshirë përfaqësuesin e komunitetit serb dhe atë të komuniteteve tjera jo-shumicë. Pra, nuk kemi Kuvend të konstituar, pa pasur pesë nënkryetarë. Duhet ta kemi të qartë se zgjedhja e nënkryetarit të komunitetit serb është garanci kushtetuese dhe nuk është privilegj që ju jepet atyre si komunitet. Në këtë kuptim, zgjedhja e vetëm katër nënkryetarëve dhe lënia jashtë e nënkryetarit nga komuniteti serb nuk mund të konsiderohet si konstituim i plotë i Kuvendit. Pa përmbushjen e këtij kushti, Kuvendi as nuk është i konstituuar dhe as nuk ka kryesi funksionale, pavarësisht deklaratave të Kryetarit aktual. Praktika parlamentare tregon se kandidatët për nënkryetarë të komuniteteve propozohet me shkrim dhe votohet në pako, duke siguruar përfaqësimin e të gjithëve”, tha Kolshi për Periskopin.

Tutje, hulumtuesi i IKD tha se votimi për nënkryetarët e komuniteteve duhet të votohet dhe nëse vazhdon kjo bllokadë atëherë çështja duhet të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“IKD kërkon nga Kryetari i ri i Kuvendit që të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse vazhdohet kjo qasje bllokuese, hapet rruga që çështja të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka autoritetin për të përcaktuar nëse Kuvendi është i konstituuar në përputhje me Kushtetutën dhe normat e saj. Rëndësi parësore duhet t’i jepet respektimit të frymës kushtetuese dhe ligjore, e jo interesave momentale partiake apo individuale, pasi që dhënia e përparësisë ndaj interesave partiake po na dërgon drejt vonesave të formimit të institucioneve dhe funksionalizimit të tyre”, përfundoi Kolshi.

Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një ngërç të ri politik, pasi kryetari Dimal Basha e shpalli të “përmbyllur” seancën konstituive të së shtunës, megjithëse nuk u zgjodh nënkryetari nga komuniteti serb. Ky veprim u cilësua nga Lëvizja Vetëvendosje si hap drejt funksionalizimit të institucioneve, por u kundërshtua nga partitë e tjera.

Ndërkohë, sot ka dështuar të mbahet edhe mbledhja e kryesisë, në të cilën nuk morën pjesë PDK dhe LDK./PERISKOPI

Shpërndaje në: