Basha – Nulandit: Vetëm konsensusi na çon drejt miratimit të reformës në drejtësi
Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, zhvilloi të dielën takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një prononcim për mediat pas takimit, Basha tha se në fokus të diskutimit ishte reforma në drejtësi.
“Vetëm konsensusi na çon drejt miratimit të reformës në drejtësi që është në të mirë të të gjithëve”, tha Basha.
Kryetari i PD-së informoi se e njohu zyrtaren amerikane me propozimet e opozitës për reformën në drejtësi, ndërsa ritheksoi qëndrimin e demokratëve për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
“Diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera, padyshim këto propozime do të jenë pjesë e rrugës së zgjidhjes. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88, që reforma të miratohet me konsensus. Rrugë tjetër nuk ka”, deklaroi Basha.
Victoria Nuland, zyrtarja e lartë e DASH zhvilloi të dielën një vizitë disa orëshe në Tiranë , në kuadër të një turi evropian.



