Bashkim Ramosaj i quajti “pa din e pa iman”, vjen reagimi i ashpër i Lëvizjes së Deçanit
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është distancuar publikisht nga “Lëvizja e Deçanit”, duke përdorur tone të ashpra ndaj kësaj nisme.
Në një video të shpërndarë në rrjete sociale, gjatë një iftari të organizuar në Deçan, Ramosaj deklaroi se kjo lëvizje nuk ka lidhje as me qytetin dhe as me vlerat kombëtare e fetare.
Ai theksoi se pjesëtarët e saj “nuk kanë të bëjnë as me komb e as me fe” dhe shtoi se “nuk kanë as din as iman”.
Ramosaj u shpreh se disa nga këta persona i njeh personalisht nga e kaluara, duke nënvizuar se për këtë arsye e ndjen të nevojshme të flasë hapur sa herë që i jepet mundësia.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar “Lëvizja për Rikthim”, e cila i ka cilësuar fjalët e kryetarit si etiketime të rënda dhe të pavërteta.
Në reagimin e tyre, kjo lëvizje akuzon Ramosajn për një qasje përçarëse dhe për tejkalim të rolit të tij institucional. Sipas tyre, të quash një lëvizje shqiptare si “pa din e pa iman” nuk përbën analizë, por një tentativë për të imponuar një interpretim të vetëm të identitetit fetar.
Ata pretendojnë se nuk i përkasin një forme të caktuar orientale të besimit, por kjo nuk nënkupton mungesë identiteti apo besimi.
Në reagim theksohet se identiteti i tyre mbështetet në traditën shqiptare, duke përmendur Kanunin si rend moral, si dhe Krishterimin dhe Ungjillin si bazë shpirtërore dhe qytetëruese.
“Lëvizja për Rikthim” shton se shqiptarët nuk janë popull pa fe dhe se identiteti i tyre nuk mund të përcaktohet nga etiketimet politike apo personale, duke kërkuar debat konstruktiv dhe jo shpifje.
Në fund të reagimit, ata theksojnë se vlerat dhe përkatësia e tyre burojnë nga historia dhe zgjedhja personale, jo nga etiketimet e kujtdo.



