Bayern Munich dhe Real Madrid në garë për yllin e Dortmundit
Bayern Munich dhe Real Madrid janë shfaqur si dy pretendentët kryesorë për të transferuar qendërmbrojtësin e Borussia Dortmund, Nico Schlotterbeck, gjatë verës së ardhshme, raporton Sport Bild.
Në javët e fundit, situata kontraktuale e mbrojtësit gjerman ka qenë në qendër të vëmendjes. Dortmundi dëshiron t’i zgjasë kontratën përtej vitit 2027, por lojtari po heziton të firmosë, pasi kërkon një rritje të ndjeshme page, që do ta vendoste ndër më të paguarit në klub.
Në anën tjetër, Bayern Munich është në kërkim të përforcimeve në qendër të mbrojtjes për shkak të pasigurisë që rrethon të ardhmen e Kim Min-jae dhe Dayot Upamecano. Schlotterbeck shihet si profili ideal për të përforcuar repartin defensiv të bavarezëve, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Ndërkohë, Real Madrid e vlerëson 24-vjeçarin si një shtesë të vlefshme për të ardhmen, veçanërisht për shkak të mundësisë së largimeve të Antonio Rudiger dhe David Alaba në fund të sezonit.
Borussia Dortmund mbetet e vendosur ta mbajë mbrojtësin e saj kryesor, por nëse nuk arrihet marrëveshje për rinovim, verën e ardhshme mund të jetë e hapur për ofertat e mëdha nga Gjermania dhe Spanja./Periskopi



