BE njofton për takimin trepalësh në Bruksel për personat e pagjetur, jep detaje për çfarë janë pajtuar palët

BE njofton për takimin trepalësh në Bruksel për personat e pagjetur, jep detaje për çfarë janë pajtuar palët

Bashkimi Europian ka lëshuar një komunikatë për takimet e djeshme në Bruksel të dialogut Kosovë-Serbi të nivelit teknik mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, atij të Serbisë Petar Petkoviq, si dhe emisarit të BE-së, Peter Sorensen.

BE-ja e potencoi se “për herë të parë në një format trepalësh”, më 22 janar 26 kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Përfaqësuesin Special të BE-së, u mblodhën për të diskutuar për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur.

BE bëri të ditur se qëllimi i Komisionit të Përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave ende të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, si dhe të sjellë fundin e këtij procesi për familjet e të zhdukurve dhe të nxisë pajtim dhe paqe të qëndrueshme.

“Në përputhje me Termat e Referencës të dakorduara, Komisioni i Përbashkët do të mbështesë përpjekjet e Grupit Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga ICRC, duke lehtësuar aktivitetet zbatuese të Palëve, zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe duke shqyrtuar progresin”, tha BE.

Themelimi i këtij Komisioni u dakordua më 2 maj 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë një takimi të nivelit të lartë të lehtësuar asokohe nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

BE si lehtësuese, Kosova, Serbia ose ICRC (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq) mund t’i referojnë Komisionit të Përbashkët çdo çështje që lidhet me zbatimin, aplikimin dhe interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe çdo çështje të kontestuar që lind brenda Grupit Punues të kryesuar nga ICRC-ja, përfshirë çështjen e rishikimit dhe përditësimit të Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit Punues për Personat e Zhdukur, në rast se ky i fundit nuk arrin konsensus për këtë çështje, tha BE.

“Komisioni i Përbashkët do të shqyrtojë çështjet brenda mandatit të tij në përputhje me Termat e Referencës të dakorduara. Çdo vendim mbi çështjet e kontestuara, të referuara Komisionit të Përbashkët nga Grupi Punues i kryesuar nga ICRC-ja, do t’i kthehet Grupit Punues të udhëhequr nga ICRC-ja për miratim dhe zbatim”.

Bashkimi Europian tha se ka pritshmëri të mëdha që Komisioni i Përbashkët të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të personave të zhdukur dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur për një kohë shumë të gjatë për përgjigje.

Më 17 dhjetor 2024, Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord në Bruksel mbi Termat e Referencës për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur, që do të themelohet në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar nga Kurti e Vuçiq më 2 maj 2023.

Shpërndaje në: