BE bllokon pa afat asetet e Bankës Qendrore Ruse

BE bllokon pa afat asetet e Bankës Qendrore Ruse

Bashkimi Evropian ka rënë dakord të imobilizojë për një kohë të pacaktuar asetet e Bankës Qendrore Ruse, një hap kyç në kuadër të përpjekjeve për të garantuar fondet e nevojshme për mekanizmin e dëmshpërblimeve për Ukrainën.

Masa vjen ndërsa negociatat për këtë mekanizëm vazhdojnë intensivisht përpara samitit vendimtar të javës së ardhshme.

Vendimi synon të parandalojë që SHBA-të të marrin kontrollin e aseteve të ngrira dhe t’i përdorin ato si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me Moskën për përfundimin e luftës. Sipas burimeve diplomatike, disa shtete anëtare kishin shprehur shqetësime se një veprim i tillë nga SHBA mund të dobësonte pozicionin negociues të BE-së.

Akti u miratua nga ambasadorët e vendeve anëtare të enjten, duke u bazuar në Nenit 122 të traktateve të BE-së, një dispozitë që kërkon vetëm shumicë të kualifikuar dhe anashkalon miratimin e Parlamentit Evropian.

Ligji i ri ndalon kthimin e 210 miliardë eurove në Bankën Qendrore Ruse. Shuma më e madhe, rreth 185 miliardë euro, ndodhet në Euroclear — një depozitë qendrore e letrave me vlerë në Bruksel — ndërsa rreth 25 miliardë euro të tjera mbahen në banka private./Periskopi/

Shpërndaje në: