Bedri Hamza i dërgon letër pas Osmanit edhe Haxhiut: Kërkon anëtarin e dytë në KQZ
Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në letrën e dërguar, PDK thekson se përbërja e KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe se përfaqësimi i partisë me dy anëtarë në këtë institucion nuk është një çështje interpretimi politik, por një e drejtë që rrjedh nga dispozitat kushtetuese.
Gjithashtu, PDK thekson rëndësinë e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, sipas së cilës kjo parti ka qenë e përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ, duke garantuar barazi dhe balancë mes subjekteve politike.
Duke iu referuar nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Sipas PDK-së, në kushtet aktuale me katër grupe parlamentare, secili grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura duhet të ndahen proporcionalisht sipas madhësisë së grupeve.




